Europa është në alarm. OBSH në raportin e fundit të saj, thotë se personat që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor po shtohen. Aktualisht 17% e popullatës në Europë përfshirë dhe Shqipërinë vuajnë këto problem.
Problemet e shëndetit mendor janë të shumta nisur nga çrregullimet e humorit, ankthi apo depresioni.
Ekspertët e shëndetësisë botërore kanë vërejtur se ndjenja e vetmisë është shumë e shprehur tek të moshuarit dhe vajzat adoleshente. E thënë në shifra 1 në 4 persona mbi moshën 60 vjeç raportojnë se ndihen të vetmuar, e po njëlloj edhe vajzat adoleshente.
Edhe më shqetësues është fakti se 1 në 3 persona që vuan nga një çrregullim i shëndetit mendor dhe 1 në 4 persona me psikozë nuk trajtohen, ndërsa del në pah edhe mungesa e profesionistëve të shëndetit mendor.
Është parë që problemet e shëndetit mendor janë shkaku kryesor i vetëvrasjeve, ku rreth 400 persona të moshës 15–29 vjeç marrin çdo ditë vendimin fatal.
Nisur nga kjo panoramë ekspertët kërkojnë që shëndeti mendor të bëhet prioritet i qeverive dhe strukturave shëndetësore dhe bashkëpunim mes të gjithë aktorëve për uljen e shifrave.