Klubi i Elbasanit duket se ka arritur marrëveshjen me portierin çek, Martin Janaçek, i cili pritet të jetë afrimi i parë zyrtar i merkatos verore.
Gardiani 24-vjeçar ka qenë një nga objektivat kryesorë të klubit verdheblu dhe tashmë është shumë pranë prezantimit si portieri i ri i ekipit. Të paktën këtë pohojnë burime pranë klubit, që shohin te çeku një garanci në portë dhe si pasuesin ideal të Razak Abalorës, që e mbylli me verdheblutë brenda një sezoni aventurën e tij në futbollin shqiptar. Mësohet se elbasanasit kanë mundur konkurrencën e disa skuadrave të tjera që patën kërkuar shërbimet e tij. Nëse nuk do të ketë surpriza rrugës, zyrtarizimi pritet në ditët në vijim, por duket se Elbasani ka bërë një goditje të rëndësishme në merkato, duke siguruar një portier cilësor dhe me të ardhme.
KARRIERA – Janaçek, i lindur më 22 shtator 2000 në Cehnice të Çekisë, është një portier me përmasa mbresëlënëse fizike, duke arritur lartësinë 1.97 metra. Ai është rritur tek akademia e SK Dynamo Ceske Budejovice dhe është aktualisht pjesë e këtij klubi, me të cilin ka kontratë deri në fund të këtij muaji dhe do të vijë në Elbasan si një lojtar i lirë. Në sezonin aktual, Janaçek ka qenë një element mjaft i rëndësishëm për ekipin e tij. Ai ka zhvilluar 24 ndeshje zyrtare në të gjitha kompeticionet, duke përfshirë: 15 ndeshje në Ligën e dytë çeke, ku ka luajtur 1305 minuta. 5 ndeshje në grupin e mbijetesës së të njëjtës ligë me 450 minuta dhe një ndeshje në Kupën e Çekisë me 90 minuta të plota. Për Janaçek, kjo mund të jetë aventura e parë jashtë Çekisë, ndërsa për Elbasanin është një sinjal i qartë për ambiciet e sezonit të ri. Me një vlerë në treg që shkon në 200 mijë euro dhe me eksperiencë edhe në kombëtaren U-17 të Çekisë, ai shihet si një përforcim me peshë për skuadrën e trajnerit Ivan Gvozdenoviç.
MERKATO – Ajo që bie në sy është se ky nuk pritet të jetë afrimi i vetëm i Elbasanit. Klubi është i vendosur të ndërtojë një skuadër konkurruese për sezonin e ri dhe është në bisedime edhe për disa përforcime të tjera në repartet kyçe të skuadrës. Drejtuesit e klubit kanë sinjalizuar gatishmërinë për të investuar dhe për të plotësuar kërkesat e trajnerit Gvozdenoviç, me qëllimin e qartë për të qenë sa më lart në renditje. Fokusi kryesor tani mbetet te një sulmues me potencë dhe sërish sytë janë hedhur nga tregu i huaj, edhe pse nuk është një sipërmarrje e lehtë gjetja e një lojtari që të garantojë golat në kampionat.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL