Saturday , June 14 2025

“Kam kaluar një javë të tmerrshme”/ Detektivja e njohur trondit me rrëfimin, zbulon si i rrëmbyen vajzën: Gruaja me syze…

Pak ditë më parë në media u publikua lajmi i tentativës për rrëmbim të një vajze 7-vjeçare pranë pallatit ku banonte. Bëhet fjalë për vajzën e mitur të detektives private, Shkenda Lili. Ngjarja fatmirësisht u shmang në kohë falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe vigjilencës së nënës.

Vetë detektivja ka rrëfyer në “Top Story” ngjarjen tronditëse, duke deklaruar se ngjarja nuk ka lidhje me punën e saj. Ajo ka treguar se vajzën e ka lënë vetëm 30 sekonda vetëm kur ka shkuar në shtëpi ti merrte një rrobë, por ka qenë vajza e cila në citofonin e shtëpisë i ka treguar se po e rrëmbenin.

Ajo rrëfen më tej se ka zbritur me shpejtësi dhe se nga kryqja e pamjeve të kamerave pa një grua të veshur normalisht, me një bukë në dorë që e kishte tërhequr dhunshëm vajzën e saj. E mitura kishte mundur të largohej për të lajmëruar të ëmën. Pas ndjekjes me detektivët e saj privat dhe policinë, zbuloi se bëhej fjalë për një grua me probleme mendore, e njëjta që doli tetë muaj më parë në pamje në një supermarket teksa merr një fëmijë të vogël 2-vjeçar.

“Kam kaluar një javë të tmerrshme, besoj se çdo prind mund të më kuptojë. Nuk ka lidhje me punën që unë bëj. Që në momentin që ndodhi, dyshimet e mia ishin aty dhe ndaj unë hetova në bashkëpunim me policinë, por edhe me grupin e punës sime. Për 24 orë e kemi zbuluar dhe kemi zbardhur të gjithën. Ngjarja ka ndodhur në rezidencën ku banoj. Unë qëndroj gjithmonë në kafe pasdite, ku e kam gjithë pamjen e lagjes që është shumë e kontrollueshme, s’ka makina. Administrimi i pallatit është shumë i mirë, ka kamera gjithandej. Unë se lë vajzën time vetëm, as te nëna ime, i them mos dil jashtë pa më lajmëruar ku je.

Edhe te kafja ku ulem, e dinë të gjithë se është vendi im. Në një moment vajza më thotë që të shkoj ti marr një bluzë se ishte djersitur. Jam ngjitur me ashensor dhe pa kaluar një minutë më merr vajza te citofoni i shkallës dhe thotë duke bërtitur ‘mami po më vjedh dikush’. Zbres pa telefon, pa asgjë dhe shkoj te lokali, e askush nuk e kishte vënë re këtë pjesë. Ngjarja ka ndodhur fiks para lokalit. Puna e parë që kam bërë kam hapur kamerat te lokali ku rrija dhe pashë se si gruaja me syze dhe me bukë në dorë vjen nga rruga kryesore.

Pashë gjithë lëvizjen e zonjës, shumë e qetë, e veshur e mirë, nuk t’a jepte përshtypjen se kishte luhatje humori. Është drejtuar te vajza dhe e ka kapur për krahu. Vajza është treguar e shkathët se unë i bëj shumë leksione. Ajo i ka ikur dhe zonja e ka ndjekur.

Pastaj pyes të gjithë njerëzit nëse e njihnin dhe thanë jo. Pastaj hapa kamerat e kompleksit ku banoj. Shikohet se ku futet dhe del sërish për të kontrolluar nëse dikush e ka ndjekur. Ishte e vetëdijshme për veprimin që ka bërë. Administratori i pallatit nuk e njihte dhe thoshte nuk është banore e aty.

Pastaj kemi qëndruar deri në 10 të darkës për të parë nëse del dhe nuk doli. Me grupin tim të punës kam qëndruar deri në 8 të mëngjesit dhe nuk doli. Kisha gjithashtu edhe një agjente të policisë të Komisariatit numër 6 që ma kishin dërguar. Trokas derë më derë, ishte vendim i imi. Policia thoshte jo se do ta zgjedhim ne, po nuk duroja dot.

Në katin e parë dhe të dytë më dolën njerëz të njohur e më thanë se nuk e njihnin. Në katin e 7, bashkë me agjenten e policisë, i bie derës dhe nuk hap njeri. Në atë moment hapet ashensori dhe del një burrë dhe e pyes a e njihni këtë zonën. Ishte bashkëshorti, ishte polic në komisariatin numër 3. Sipas tij, ka 6 muaj që ka agravuar gjendja e saj, e ka dy vite që ka luhatje. Ishin me qira aty, shtëpinë e tyre e kanë në Astir dhe janë detyruar të largoheshin nga aty se ngacmonte fëmijët. Ai ishte i trembur, dridhej. Fatmirësisht deri më tani nuk ka ndodhur asnjë fatkeqësi”, tha Lila.

Kjo e fundit shton se ka takuar edhe djalin e saj 27-vjeçar, i cili i ka kërkuar që t’a ndihmojë në lidhje me nënën e tyre. Ajo tregon se nuk e ka bërë denoncimin pasi i ka sqaruar gjërat me familjarët e saj.

Ky rast ka rikthyer në vëmendje një temë që shpesh mbetet në hije: siguria e fëmijëve në hapësirat publike dhe kërcënimet gjithnjë e më të sofistikuara që i rrethojnë ata.

Rasti vjen në një kontekst kur prindërit shqiptarë janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj sfidave që sjell rritja e fëmijëve në një realitet ku teknologjia, mungesa e kontrollit institucional dhe kriminaliteti përplasen në mënyrë të rrezikshme.