Të miturit në konflikt me ligjin është një fenomen që është kthyer në një problematikë serioze për shoqërinë tonë.
Rastet kur të miturit bëhen objekt i veprimeve proceduriale penale si nga policia ashtu edhe nga prokuroria e Elbasanit nga viti në vit janë në rritje dhe një nga shkeljet që kryhen nga të miturit me shpesh është përdorimi dhe shpërndarja e lëndëve narkotike.
Specialistja për hetimin e narkotikëve në drejtorinë e Policisë së qarkut të Elbasanit rendit disa faktorë që sipas analizës policore shtyjnë të miturit drejt aktivitetit të paligjshme me narkotikët.
“Në mars kemi pasur rastin e parë për vitin 2025-së, me një 16-vjeçar. Të tillë raste po vijnë në rritje. Në thelb janë tre faktorë: Mjedisi familjar, presionin shoqëror si edhe problemet emocionale, psiko-sociale”, tha Anxhela Micko, Specialiste për hetimin e narkotikëve.
Prokuroria është hallka tjetër që krahas procedurës ligjore duhet të kujdeset për rehabilitimit të miturit në konflikt me ligjin. Dhe për të arritur këtë, oficerja e policisë gjyqësore shprehet se ligji për të miturit është i mirë por duhet më tepër ndërgjegjësim nga subjektet që e zbatojnë.
“Numri i përgjithshëm i procedimeve penale për të mitur në konflikt, regjistruar për vitin 2024, nga ana e Prokurorisë së Elbasanit është 53 procedime. Shumë i rëndësishëm bashkëpunimi institucional ndërmjet familjes, shkollës, policisë apo prokurorisë”, tha oficerja Lorena Musai.
Ndërsa për gjyqtarin e Gjykatë së Elbasanit Kuko, rastet e minorenëve përsëritës tregojnë se problematika është komplekse dhe se nuk është infrastruktura e nevojshme që duhet të shërbejë për edukimin dhe rehabilitimin e minorenëve.
“22 çështje të reja për vitin 2024-r dhe 16 të mbartura nga 2023-shi. Këtu përveç familjes, përfshihet shërbimi i provës”, tha gjyqtari Ardit Kuko.
Familja dhe shoqëria të ndërthurura me ligjet dhe institucionet shihet si një pikë e fortë që mund të frenojë fenomenet negative të minorenëve në shoqërinë tonë.
/rtsh.al/