Në fshatin Labinot të njësisë administrative Labinot Fushë në Elbasan ka nisur puna për asfaltimin e rrugës në lagjen e Ballinjve.
Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja i shoqëruar nga deputeti i sapozgjedhur në datën 11 maj, Adi Qose, ka inspektuar nga afër punimet që po kryhen në këtë rrugë.
Ky investim ka për qëllim sistemimin dhe përmirësimin e infrastrukturës për rritjen e cilësisë së jetesës për të gjithë banorët.
Rruga që po ndërtohet ka një gjatësi prej 465 metrash linearë dhe është pjesë e një plani më të gjerë investimesh si në qytet, ashtu edhe në zonat rurale.
“Ky investim ishte i domosdoshëm për shkak të kushteve të vështira të terrenit dhe problemeve të vazhdueshme të shkaktuara nga përroi i Gurrës, i cili shpesh, në periudha reshjesh të mëdha, ka dëmtuar tokat bujqësore dhe ka paraqitur rrezik për banorët,” tha Llatja.
Sipas tij, ndërhyrja ka nisur me pastrimin e përroit dhe po vijon me asfaltimin, një projekt i diskutuar më parë me banorët gjatë procesit të buxhetimit me pjesëmarrje.
Gjatë inspektimit, deputeti Qose tha se ky investim ishte një kërkesë e hershme e komunitetit lokal.
“Kjo rrugë është tejet e rëndësishme pasi e lidh zonën me rrugën nacionale dhe përmirëson ndjeshëm jetën e banorëve. Është një premtim i mbajtur dhe një ogur i mirë që punët po nisin nga Labinoti Fushë”, tha Qose.
Bashkia Elbasan ka ndërmarrë ndërhyrje të shumta në fshatin Labinot Fushë, veçanërisht në përmirësimin e shtresave asfaltike të rrugëve të lagjeve, si pjesë e një plani gjithëpërfshirës zhvillimi.