Razak Abalora zyrtarisht nuk është lojtar i Elbasanit. Klubi verdheblu ka konfirmuar lajmin e “Panorama Sport” për portierin ganez.
“Ekipi verdheblu njofton mbylljen e bashkëpunimit me portierin Razak Abalora. Ganezi nuk arriti ta mbyllte kampionatin për shkak të një dëmtimi të rëndë në këmbë kështu duke e përfunduar eksperiencën në Shqipëri para kohe. Elbasani e falenderon për kontributin e dhënë gjatë këtij sezoni. I urojmë Razak fat dhe suksese në karrierën e tij”, shkruhet në njoftimin e Elbasanit.
Abalora u afrua tek Elbasani në shtator, pasi sezoni kishte filluar. 28-vjeçari fitoi menjëherë vendin e titullarit, që e mbajti deri në mars kur dhe u dëmtua.
“Falenderoj presidentin, stafin drejtues dhe lojtarët e ekipit për eksperiencën e bukur këtu. Dua të falenderoj profesor Kotorrin dhe tifozët verdheblu për mbështetjen. Elbasan, ju uroj suksese”, shprehet Abalora për mbylljen e aventurës.
Ky është largimi i parë nga verdheblutë. I gjithë fokusi është te sezoni i ardhshëm, pasi edicioni i parë në Superiore u mbyll me vendin e pestë.

PANORAMASPORT.AL