Një ngjarje e pazakontë është regjistruar pas mesnate në qytetin e Elbasanit. Rreth orës 00:05 të datës 1 maj 2025, në lagjen “Partizani”, dyshohet se ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse në katin e parë të banesës së shtetasit A. P.
Fatmirësisht, në momentin e ngjarjes në banesë nuk ndodhej asnjë person dhe si pasojë nuk ka të lënduar, por janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Banorët e zonës, të alarmuar nga ngjarja, raportojnë se shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe ka shkaktuar panik në orët e para të mëngjesit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, ka nisur menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, si dhe për të identifikuar dhe kapur autorin apo autorët e dyshuar.
Policia mbetet në gatishmëri dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë për çdo informacion të vlefshëm që mund të ndihmojë hetimin.