Wednesday , April 16 2025

Do i blinte votën një qytetari për 50 mijë lekë, arrestohet 38-vjeçari

Një 38-vjeçar në Lushnjë është vënë në pranga pasi dyshohet se do i jepte para një qytetari, me qëllim vlerjen e votës për një subjekt politik, lidhur me zgjedhjet e 11 Majit.

I arrestuari, M.Leka, dyshohet se i ka marrë kartën e identitetit shtetasit M. Toska, e i ka premtuar 500 mijë lekë të vjetra, në këmbim të votës për një parti politike.

Leka do të hetohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Marrja e përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”.

Gazetarja Anila Sefa raporton se ka qenë vetë Toska, personi i cili i kallëzoi rastin e shitblerjes së votës në komisariatin e Lushnjës. Sefa bën me dije se dhe Prokuroria e Posaçme është në ndjekje të këtij rasti, e kjo për shkak se SPAK në bashkëpunim me KQZ-në do të hetojnë krimet zgjedhore të mundshme.

“Ka qenë vetë personi që ka dorëzuar kartën e identiteti, i cili ka kryer denoncimin në Polici. 38-vjecari i ka marrë kartën e identitetit kallëzuesit, me pretendimin për ti dhënë një shumë parash, 500 mijë lekë të vjetra, në këmbim të votës. Këto janë indiciet e para të deklaratës së personit që ka pranuar të dorëzojë. Pasi ka bërë kallëzimin, policia ka arrestuar 38-vjeçarin, e ka gjetur në xhepin e tij kartën e identitetit të atij që beri kallëzimin. Tani SPAK po heton këtë rast. Sipas informacioneve të tjera, nuk bëhet me dije subjekti politik, por është marrë në pyetje personi që ka dorëzuar kartën e identitetit.”, tha gazetarja.

Sakaq, mjeti i identifikimit i qytetarit që do shiste votën e tij është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.