Saturday , February 22 2025

Bashkia Belsh, një larmi aktivitetesh për Ditën e Verës

Bashkia Belsh ka publikuar kalendarin e festimeve për Ditën e Verës më herët se çdo vit, duke u kujdesur që të përfshijë çdo traditë që e karakterizon këtë zonë. Kjo nismë e re duket se po e vendos Belshin si një konkurrent të fortë të Elbasanit, qytetit që ka ruajtur prej shekujsh ekskluzivitetin e kësaj feste.

“Kur pranvera vjen, ne festojmë në çdo destinacion turistik të Belshit!”
Kjo është ftesa që Bashkia Belsh i drejton të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen.

Më 14 dhe 15 mars, “Dumrea Summer Day Fest” do të sjellë për vendasit dhe vizitorët një kombinim të mrekullueshëm të natyrës dhe aktiviteteve argëtuese. Festimet do të përfshijnë muzikë dhe këngë nga artistët më të dashur, kamping, piknik, lojëra dhe shumë eksperienca të paharrueshme që do ta bëjnë këtë festë më të bukur se kurrë.

Pushteti vendor i Bashkisë Belsh, përmes kësaj ftese publike, i inkurajon të gjithë të bashkohen me miqtë e tyre për të përjetuar aventura unike në Belshin turistik. Koncertet festive do të sjellin në skenë artistë të njohur si Alban Skënderaj, Anxhela Peristeri, Eranda Libohova, Fifi dhe Bruno & Klajdi.

Gjatë dy ditëve festive, të gjitha destinacionet turistike të Belshit do të mirëpresin aktivitete për të gjitha grupmoshat, si: lojëra për fëmijë, gjueti thesari, punime artizanale, pikturë në natyrë, paintball, crossfit, boy scouting, archery dhe shumë të tjera.

Dita e Verës 2025 në Belsh do të ketë si epiqendër “Eco Park Marinë” dhe rrethinat e tij, ku priten mijëra vizitorë nga i gjithë vendi, si dhe grupe të shumta turistësh të huaj. “Dumrea Summer Day Fest” synon të kthehet në një traditë të përvitshme, duke promovuar pasuritë natyrore dhe turistike të kësaj zone, e cila po zhvillon gjithnjë e më shumë industrinë e turizmit.

LiQenet karstike të Belshit dhe shtimi i bizneseve të reja me shërbime cilësore po tërheqin një numër gjithnjë e më të madh turistësh, duke e bërë këtë destinacion prioritet të guidave turistike vendase dhe të huaja.

Një traditë e ringjallur: Pikniku në natyrë

Këtë Ditë Vere, Belshi dhe natyra e tij e mrekullueshme me liqenet e shumta karstike pritet të jenë destinacioni i preferuar i qindra e mijëra qytetarëve nga zona e Dumresë dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Pikniku është një traditë e lashtë që është rikthyer fuqishëm vitet e fundit dhe mbetet një mënyrë e veçantë për të festuar këtë ditë në gjirin e natyrës së paprekur.

Më 14 mars, shumë qytetarë do të zgjedhin të organizojnë piknikun e tyre në natyrën perlë të Belshit, në një atmosferë të gjallëruar nga muzika popullore e krahinave të ndryshme. Këtë vit pritet që në liqenin dhe pyllin e Marinës të zhvillohet pikniku më i madh i të gjitha kohërave në këtë zonë.

Natyra relaksuese e Belshit ofron mundësi të pafundme për argëtim dhe pushim, jo vetëm gjatë Ditës së Verës, por edhe gjatë fundjavave dhe ditëve të pushimit. Me organizime të tilla, Bashkia Belsh po jep një shembull të shkëlqyer se si një ditë feste mund të shndërrohet në një event të madh turistik dhe kulturor, duke krijuar një eksperiencë unike për të gjithë.

Bashkohuni me ne dhe festoni Ditën e Verës në natyrën magjike të Belshit!