Duke theksuar mbështetjen ndaj drejtësisë, kryeministri Edi Rama i doli në mbrojtje kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, i cili u arrestua dje me urdhër të SPAK.
Rama tha në rubrikën “Sy m’sy” se do “thyejë traditën” dhe opinionet e tij nuk do i mbajë më për vete. Kreu i qeverisë e quajti të padrejtë arrestimin e “kokës së kryeqytetit” siç e quajti ai, pa gjyq.
“U ekzaltuan nga arrestimi i Erionit dhe u turrën për të kërkuar dorëheqjen time. Madje jo vetëm oxhaku i vjetër e blozë i partisë së bufit të kënetës, por edhe mangallët e partiçkave, u përdezën nga era e mishit me gjak që të vijnë këtu të kërkojnë dorëheqjen time se u bë deti kos tani. Këtu janë punët e tyre dhe s’kanë lidhje me punën time.
Marrja e kryetarit të bashkisë së Tiranës nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një qytet të tërë pa kokën që e kanë vënë, është një ngjarje e madhe. Lajmi që kam për ju sot është se nuk do ti mbaj më për vete opinionet e mia kur ta shoh të arsyeshme për ti ndarë me publikun.
Drejtësia e re ka hyrë tani në një fazë që ka fituar të gjithë vetëbesimin e nevojshëm. Mbështetja jonë do të vazhdojë njësoj. Por nuk ka pse të mos i shprehim dhe opinionet kritike që janë të domosdoshme”-u shpreh Rama ndër të tjera.
Top Channel