Kriza e Elbasanit, ish-mesfushori Çapja: Lojtarët do të reagojnë pas gjobave

Rikthimi i duelit Tirana-Elbasani në Superiore këtë vit nuk është në nivelet e para dy dekadave kur luftonin për titullin kampion, por në çfarëdo situate që të përballen, është një sfidë që të ngjall emocione.capjaSidomos për ata që kanë luajtur dhe fituar me të dyja skuadrat. Njëri prej tyre është Hetlen Çapja, kampion me të dyja, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” analizon këtë ndeshje dhe ecurinë e skuadrave. Ish-mesfushori sheh probleme te të dyja ekipet në këto momente, ndaj e pret një duel të luftuar. Çapja mendon se gjoba e marrë do t’i “shkundë” lojtarët e Elbasanit të tregojnë potencialin e vërtetë, ndërsa te bardheblutë sheh mungesë futbollistësh që t’ia dinë peshën dhe rëndësinë e asaj fanelle. Në fund, si një djalë i qytetit të Elbasanit, shpreson që në fund të jenë verdheblutë ata që do të fitojnë.

Hetlen, si e sheh përballjen Tirana-Elbasani?

E shoh një përballje delikate, duke parë momentin që po kalojnë. Elbasani ka dy ndeshje që nuk fiton, ndërsa Tirana është e etur për pikë, ku vjen nga një rezultat pozitiv dhe ndoshta ndryshimi i trajnerit i ka bërë mirë. Për mua do të jetë një ndeshje e hapur dhe e luftuar fort në fushën e lojës, duke parë edhe rivalitetin mes tyre, për më tepër që edhe dy ndeshjet e para janë mbyllur në barazim.

Dy ekipe në krizë, çfarë nuk ka shkuar mirë?

Te Tirana ka pasur probleme lojtarësh, pasi nuk kanë zgjedhur ata futbollistë që të mbajnë peshën tek ekipi. E kam theksuar edhe më herët, të luash për ekipin e Tiranës duhet të kesh parasysh që fanella është e rëndë. Tek Elbasani mendoj se lojtarët nuk kanë dhënë maksimumin të asaj çka pritej nga ata. Ka futbollistë me cilësi, me emra, por në fushën e lojës nuk kanë dhënë kontributin që mendonin apo pretendojnë të gjithë në këtë klub.

Elbasani është mes “Final 4” dhe mbijetesës, çfarë do të arrijë në fund të edicionit?

Mendoj se Elbasani duhet t’i marri ndeshjet një e nga një. Edhe pse ka pasur dy hapa fals, ku ajo me Laçin është e patolerueshme dhe me sa kam dëgjuar ka pasur edhe gjoba, diçka që ndoshta duhej të ndodhte edhe më herët. Por, më mirë vonë sesa kurrë thotë një shprehje.

Domethënë ju jeni dakord me gjobën?

Nga sa informacion kam unë, lojtarët e Elbasanit janë të mirëpaguar. Nëse lojtari paguhet mirë dhe nuk jep kontributin, normalisht duhet të ketë sanksione. Kam luajtur futboll vetë dhe e di shumë mirë sesi funksionon kur unë si lojtar nuk tregoj në fushë atë që më kërkohet. E shoh si një mundësi edhe për lojtarët që të ‘shkunden’ dhe ta kuptojnë sesa e rëndësishme është edhe ajo fanellë.

Si e shpjegoni këtë rënie të Elbasanit në javët e fundit?

Mendoj se përveç dëmtimeve, edhe trajneri e ka pasur kohën shumë të shkurtër për të vënë dorën e tij në skuadër, pasi edhe ai do kohën e vet. Mua nuk më kënaqin oshilacionet, sepse bënë dy ndeshje shumë të mira me Teutën në kampionat dhe Kupë dhe më pas vijnë dy ndeshje të dobëta. Por, edhe dëmtimet kanë bërë pjesën e tyre.

Çfarë i ka munguar Elbasanit për të qenë pretendent këtë sezon në Superiore?

E thashë, oshilacionet. Më pas, edhe mos impenjimi në maksimum i lojtarëve. Në emra janë të gjithë me një CV të pasur dhe kanë luajtur në skuadra të mira, por nuk kanë treguar pritshmërinë e duhur. Por, mendoj se potenciali nuk i mungon për të bërë më mirë dhe ndoshta vijnë rezultatet tani e tutje.

Si mendoni se del kjo ndeshje?

Shpresoj shumë që të fitojë Elbasani, sepse unë jam djalë i këtij qyteti dhe jam rritur aty si sportist. Kështu që, shpresoj që t’ia dalin kësaj here me Tiranën.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL