Tirana-Elbasani do të luhet në stadiumin “Niko Dovana”, të shtunën në orën 16:30. FSHF ka konfirmuar tashmë axhendën.
Mesditën e djeshme, FSHF ka njoftuar bardheblutë se ndeshja nuk mund të bëhet në “Arena Kombëtare”. Klubi Tirana, pas propozimit nuk pranoi që ndeshja të bëhej në Elbasan. Kanë qenë tifozët që nuk kanë pranuar një gjë të tillë, duke bërë presion klubit që ndeshja të luhej diku tjetër dhe jo në “Elbasan Arena” si pritës.
Tirana zgjodhi Durrësin dhe sot axhenda u konfirmua zyrtarisht edhe nga sektori i garave në FSHF. Bardheblutë në 24 takime që ka kalendari zyrtar, së bashku me Kupën e Shqipërisë dhe ndeshjen e Europës, vetëm 6 prej tyre i kanë zhvilluar në kryeqytet.
Skuadra si pritëse në “Arenën Kombëtare” ka luajtur vetëm pesë takime dhe një sfidë me Partizanin në transfertë. Janë 18 ndeshje të tjera zyrtare që Tirana i ka luajtur si udhëtuese, dhe si pritëse në Durrës, Lushnjë, Elbasan Vlorë, Vorë, Laç, Rrogozhinë dhe Korçë. Shkurt, bardheblutë nuk kanë lënë asnjë qytet pa prekur këtë vit. Tashmë pritet të jetë si pritëse e ndeshjes kundër Elbasanit në stadiumin “Niko Dovana”.