Në Elbasan soset durimi, plasin gjobat. Humbja e fundit në shtëpi përballë skuadrës së Laçit nuk ka kaluar lehtë në kampin verdheblu, me drejtuesit, që kanë vendosur të marrin menjëherë masa duke informuar lojtarët se janë gjobitur për mos impenjimin e duhur në këtë ndeshje.elbasaniBurime të “Panorama Sport” pranë klubit nuk saktësojnë se sa është gjoba për lojtarët dhe stafin, por e shohin si një masë të nevojshme në këto momente, duke parë se sfida me kurbinasit la shumë për të dëshiruar. Mësohet se kjo gjobë nuk ka lidhje me ndeshjet e kaluara kur edhe kanë humbur, por ekzaktësisht vetëm për këtë sfidë. Pra, edhe pse Elbasani është mundur në të kaluarën, janë konsideruar si pjesë të lojës, ku një skuadër edhe mund të mposhtet.
Por me kurbinasit, drejtuesve i ka lënë një shije të hidhur ndeshja që kanë bërë, ku kanë vënë re një mungesë impenjimi nga ana e tyre. Ndeshja me Laçin ka qenë një ndër më të dobëtat që kanë zhvilluar verdheblutë këtë sezon, ku thuajse i gjithë ekipi në tërësi nga porta në sulm, kanë lënë për të dëshiruar me atë që treguan në fushën e lojës. Fakti që u mundën në shtëpi, e shton më shumë dozën e zhgënjimit.
SITUATA – Siç dihet, me investimet që kanë bërë, verdheblutë shprehën hapur ambiciet për të qenë pjesë e “Final 4” këtë edicion. Pas një nisjeje të mbarë, ku ishin rivalizues me ekipet e kreut, pak e nga pak humbën terren me katërshen dhe tani janë plot nëntë pikë larg vendit të katërt që mbahet nga Vllaznia. Me ecurinë e ndeshjeve të fundit, duket gati një mision i pamundur që elbasanasit të bëjnë përmbysjen dhe të zënë një nga katër vendet e para. Mesa duket, dy përballjet e fundit në “Elbasan Arena” me Dinamon dhe Laçin ishin vendimtare për këtë objektiv, por mos marrja e asnjë pike i largoi edhe më shumë nga “Final 4”. Edhe pse janë në vendin e pestë, kanë filluar të ndiejnë ethet nga poshtë, duke qenë se skuadrat që luftojnë për mbijetesë fituan në përballjet e tyre.
ANTI-TIRANA – Nuk ka shumë kohë për të menduar rreth asaj që ndodhi me Laçin, pasi në fundjavë Elbasanin e pret një ndeshje tjetër e vështirë, ku përballë do të kenë Tiranën. Në dy ndeshjet e kaluara nuk kanë shkuar më shumë sesa barazimi, në një kohë kur u duhet të rikthehen sa më parë te fitorja. Verdheblutë vijnë pas dy humbjeve në shtëpi dhe fitorja në këtë ndeshje kthehet në detyrim. Mbetet për t’u parë nëse Gvozdenoviç me Tiranën do të “ndëshkojë” ndonjë lojtar për mos impenjimin e duhur me Laçin dhe ta lërë në stol, apo do t’u besojë sërish të njëjtëve titullarë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL