Elbasan- Ka dështuar sërish seanca gjyqësore ndaj Dritan Dajtit, i dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e 4 oficerëve të Policisë së Shtetit në aksion, në vitin 2009 në Durrës.
Seanca u shty pasi Gjykata e Elbasanit e pati të pamundur të realizojë lidhje me videokonferencë me IEVP Peqin, e nga ana tjetër Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk mori përsipër shoqërimin e Dritan Dajtit në ambientet e gjykatës për arsye sigurie.
Gjykata sqaroi sot (27 Janar) se Burgjet kthyen përgjigje se nuk realizonin dot shoqërimin për shkak të rrezikut të arratisjes, por nuk realizuan gjithashtu as kushtet për realizimin e video-konferencës, edhe pse ishin njoftuar që në datën 9 Janar. Në këto kushte, gjyqtarja Suela Lika shtyu seancën për më 12 Shkurt, duke kërkuar nga Burgu i Peqinit realizimin e një prej dy formave për realizimin e saj.
Dritan Dajti kërkon gjithashtu gjykatës konstatimin dhe deklarimin e pamundësisë së vënies në ekzekutim të vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, pasi ky vendim sipas tij, është i pavlefshëm pasi mungojnë nënshkrimet e katër anëtarëve të trupit gjykues. Kërkesa u depozitua në muajin Shtator të vitit të kaluar.
Dajti pretendon se ka përfunduar dënimin në 17 Gusht të vitit 2024 dhe po mbahet në qeli pa të drejtë. Në të kundërt thotë Dajti, gjykata të vendosë në dispozicion urdhrin e ekzekutimit për dënimin me burgim të përjetshëm, urdhër i cili, sipas tij, nuk ekziston. Rekursi i tij u rrëzua nga Gjykata e Lartë kohë më parë.
Dritan Dajti akuzohet për masakrën e 7 Gushtit të vitit 2009 në ‘Plazhin e Durrësit’, ku u vranë dëshmorët e policisë; Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj.
Ngjarja cilësohet si ndër më të rëndat për forcat e policisë. Dajti së bashku me personat që e shoqëronin ju përgjigjën me armë skuadrës së policisë që kishte shkuar për arrestimin e tij.