12 punëtorë shëndetësorë të QKMF-së në Kamenicë dolën negativ në testimet për koronavirus

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka bërë të ditur se 34 persona nga ky qytet kanë marrë rezultate negative për koronavirus, transmeton Klan Kosova. Ai me anë të një postimi për media në rrjetin social Facebook deklaroi se në mesin e këtyre personave ishin edhe 12 punëtorë shëndetësore nga QKMF në Kamenice. Gjithashtu edhe dy policë nga kjo komunë mbrëmë patën rezultate negative për Covid-19.

“Mbrëmë pas daljes së rezultateve për dy zyrtarë policor të cilët rezultuan të jenë negativ, në orën 01:30 kanë dalë rezultatet edhe për personat e tjerë të cilët u testuan”.

“12 punëtorë shëndetësor nga QKMF në Kamenicë si dhe 22 banorë të fshatit Topanicë të cilët u testuan, fatmirësisht rezultuan negativ për virusin SARS-CoV-2”.

“Ky është edhe një lajm i mirë për të gjithë ne, mirëpo kjo nuk do të thotë se tani ne mund të jemi më të relaksuar, kujdesi duhet të vazhdoj njëjtë duke qëndruar në shtëpi pasi që kjo sëmundje është e panjohur dhe mund të prek secilin. Ruaje familjen tënde dhe të tjerët”, ka shkruar Kastrati.