Si e përjetoi familja infektimin, epidemologu: Lotët e saj nuk më hiqen nga mendja

Epidemiologu dhe mikrobiologu, Rexhep Muja ishte i ftuar në programin “Historia ime”, në Tv Klan. Muja është në vijën e parë të gjurmimit të rasteve të infektuara nga virụsi në terren. Në studio, ai tregoi si u gjurmua rasti i pacientit zero duke u shprehur se më e vështirë ishte testimi i kontakteve të ngushta me pacientin. Së bashku me Shefen e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino ata shkuan pranë familjarëve të tij për ti testuar, por edhe për ti qetësuar.

Mjeku shprehet se ajo që i ka bërë përshtypje ishin lotët e nënës së pacientit zero, të cilat nuk i hiqen nga mendja.

Rexhep Muja: Aty ishte puna pak më e vështirë sepse duhet të hysh edhe njëherë në familje dhe të testoje të gjitha kontaktet e ngushta dhe ashtu veprova me ndihmën e Institutit, vajtëm bashku më Silvia Bino qetësuam familjarët. Na ndihmoi edhe Ministria e Shëndetësisë shumë shpejt duke hospitalizuar edhe rastin zero, edhe të atin, ka qenë ora 1 e 30 e natës dhe fill pas hospitalizmit të dy të parëve, kryem testimin e pjesëtarëve të tjerë.

Mirela Milori: Nga pikëpamja psikologjike, si ishte gjendja e familjes?

Rexhep Muja: Aty më ka bërë përshtypje, lotët e të ëmës sepse kishte frikë se ndoshta do të humbiste djalin sepse ai kishte simptoma ndërsa i ati pacientit zero ishte mirë, thjesht një këputje trupore, ndërsa lotët e nënës edhe sot e kësaj dite nuk më hiqen nga mendja dhe vështirë. Por falë ndihmës të Silva Binos dhe stafit të saj, ne pasi hymë në familje arritëm ta qetësojmë familjen dhe ta garantojmë për shëndetin e djalit të tyre./tvklan.al