Prrenjas, dy ish-deputetë në garë për postin e kryetarit të bashkisë

Kryetari aktual i Bashkisë, Nuri Belba, një ish-deputet i PS-së, garon për një mandat të dytë përballë Suzana Topit, një ish-deputete e opozitës së re nga radhët e LSI-së për bashkinë e vogël të Prrenjasit në kufi me Maqedoninë. Zgjedhjet e mëparshme kanë pasur rezultate të përziera, por më së shumti në favor të PS-së.

Qytetarët e Bashkisë së Prrenjasit pritet të votojnë më 14 maj për të zgjedhur kryetarin e bashkisë, ku në garë janë kryetari aktual i Bashkisë, Nuri Belba nga Partia Socialiste, me profesion ekonomist dhe me eksperiencë të mëparshme në sistemin financiar të mikrokredisë dhe Suzana Topit, gjithashtu ekonomiste që ka punuar në sistemin bankar. Të dy kanë qenë deputetë më herët. Belba për Partinë Socialiste në vitet 2017-2019 dhe Topi, për opozitën e re nga radhët e LSI-së për vitet 2019-2021.

Bashkia e Prrenjasit numëron 25 mijë votues ndërsa pjesëmarrja në zgjedhjet e vitti 2021 ka qenë 53%, më e lartë se sa mesatarja kombëtare. Bashkia u fitua nga Miranda Rira e LSI në vitin 2015 ndërsa qyteti i Prrenjasit ishte fituar nga PD më 2011. Zgjedhjet e vitit 2021 u fituan nga Partia Socialiste, e cila mori 51% të votave ndërsa dy partitë opozitare, PD dhe LSI, morën sëbashku 40% të votave.

Kjo bashki përbëhet nga 4 njësi administrative, të cilat janë: Përrenjas, Qukës, Rrajcë dhe Stravaj. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Librazhdit dhe qarkut të Elbasanit. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 25 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu.

Bashkia e re shtrihet në një terren malor në të dy krahët e lumit Shkumbin si dhe në fushën e Domosdovës. Qyteza u krijua në kohën e Komunizmit në funksion të vendburimit minerar të Katjelit. Rrajca është një zonë malore ku gjendet një nga dy pyjet e vetme primordiale të Shqipërisë, të deklaruara trashëgimi botërore e njerëzimit.

Katërmbëdhjetë parti garojnë për 21 vendet e këshillit bashkiak me 310 kandidatë.