Për Alketën e “Class”-it dhe të gjithë ata që s’njohin klasin e humorit

Mbajeni mend mirë datën 7 janar! Datën kur Alketa Vejsiu (ose personi që i mban faqen e Instagramit të “Revista Class”) bëri një budallallëk me brirë, “iku na mendorja” dhe diku nga mesnata u pendua për këtë. Jo se bëri ato postime patetike se të gjithë ja fusim kot ndonjëherë, por kuptoi që me gjithë mirësinë që shet në ekran, me gjithë klasin italian e francez, me gjithë flokët bjond dhe jo rrica si të Xhemit, me gjithë “sharmin” e trupit pa format seksi të Marinës e Luanës, publiku i doli kundër, e bombardoi me komente negative dhe kjo është ajo që nuk do të donte askush nga të famshshmëshmit. Unë po të isha e famshme do e bëja repost videon e Xhemit, edhe të Marinës edhe të kujtdo që do bënte humor me fustanet e mia… po nuk jam. Jam thjesht publik që paguan taksa për atë palo “Festival të Këngës”.

-“E rëndësishme është të mos jesh një kukull në ekran që ndërron fustanet”- tha Alketa në një nga netët e Festivalit. A nuk ishte kjo batutë apo ironi për Adrola Dushin, e cila pak ditë më parë prezantoi “Kënga Magjike”? Pse nuk u ngrit Adrola të fyente “Class”-in tënd? Sigurisht që edhe ajo është mërzitur nga komentetet e ekspertëve të rrjeteve sociale po me shumë sportivitet, humor dhe autoironi për mënyrën e saj të prezantimit, u duk edhe më e bukur e më e dashur për publikun. Po, është e vërtetë që Xhemi ka humor dhe është shumë e mirë në atë që bën edhe pse për ty qënka në hapat e parë të karrierës…dheeeee është shumë më mirë se ti që ke 20 vite që aktron. Po, është e vërtetë që tërhiqemi pas kulturës arabe ashtu si edhe ti që nuk le cep të Marokut pa postuar, por kjo nuk do të thotë që nuk na pëlqen Parisi. Sigurisht që na pëlqejnë format e motrave Vjollca po “sheiku” që përmende është bashkëshorti i Marinës, një prej reperave më të njohur ne vend të cilëve rastësisht u bëre dasmën, e mban mend? Nejse Alketa, ti ndoshta s’ke lidhje fare në këtë histori, mund të jetë ndonjë vajzë që adhuron shefen dhe arritjet e saj (se ka shumë nga këto), që mban faqen e instagramit të portalit por po të drejtohemi ty meqë pas gjithë këtij “Class”-i është emri yt.
Në fakt që të jem e sinqertë nuk e kam as me Alketën fare këtë shkrim po me të gjithë këta VIP-at e ndritur që nuk pranojnë humorin dhe bëjnë reagime histerike prej “të poseduarish”.
Pse është kaq e vështirë të pranosh humorin, sidomos kur nuk është fyes për pamjen, seksualitetin apo paaftësinë fizike? Sepse, ‘të prekurit në tela’ nga showbizi shqiptar nuk kanë qenë të pakët; kujtojmë këtu sherrin Olti Curri-Noizy, Noizy-Ledioni, Alketa-Dalina Buzi etj, etj, etj…të gjitha nisur nga fryma e humorit apo batutave dhe reagimet nga “të prekurit” kanë qenë kaq të ulëta, fyese dhe tejet zhgënjyese…
Vërtetë “hakmarrja është një pjatë që serviret e ftohte” po hidhini ca fije mend, doza humori pa delir kësaj pjate.
Një kompleksitet kaq i madh vjen pikërisht nga fakti se sido që të jetë, mbetemi në rrethin e mentalitetit të mbyllur, dyert e së cilit nuk i hapin as intervistat me lot në sy në televizionet italiane.
Kam një lajm për ju që ngatërroni humorin me vrerin: “Jo të gjithë ju duan, jo të gjithë mahniten nga mirësia që shisni, jo të gjithë pëlqejnë çdo gjë që bëni dhe është mënyra si reagoni ndaj situatave të ndryshme që ju bejnë më të dashur ose JO për publikun”.

Imagjinoni pak si do ishte që mbrëmjen e “Golden Globes” të këtij viti, kur Ricky Gervais bëri humor në sy të Leonardo Di Caprios për lidhjet e tij me vajza shumë më të reja në moshë, ky i fundit të nxirrte celularin nga xhepi dhe të bënte aty për aty një status tipik ‘në menstruacione e sipër’ për t’u hakmarrë ndaj kolegut. Por, ç’e do, Leo qeshi…me lot!

*Ky shkrim u realizua nga Lea B. (duke falenderuar për idenë e pseudonimit Enkel Demin, me shpresën se Lea do të jetë e fshehtë pak më gjatë se Tom Kuka)