Andriada Meta është një mjeke anesteziste që punon në spitalin e Brescias. Mjekja tregoi edhe për eksperiencën e saj në Itali deri tani, ku së bashku me kolegët e saj janë vendosur direkt në repartin e terapisë intensive. “Ne kemi shikuar shumë raste të vështira por një rast më ka prekur shumë. Ishte një 19 vjeçar i cili kishte dhe probleme të tjera shëndetësore.
Ai nuk erdhi në gjendje të rëndë por u përkeqësua në spital. Kur i thamë që do të vendosim në intubim për të mirën tënde ai e aprovoi dhe qante njëkohësisht. Ishte vërtet prekëse. Ajo që më ka prekur është edhe fakti që pas çdo veprimi tonë ai na falënderonte”- tha Meta në emisionin “Open”.