“Më vinte turp”, Adrola Dushi tregon punën e saj të parë dhe pengun e vetëm që ka me Troin

Modelja Adrola Dushi është një ndër më të pëlqyerat vitet e fundit në vendin tonë ndërsa së fundmi ajo ka treguar detaje nga jeta personale. E  ftuar në emisionin “Më Lër Të Flas”, Adrola tregoi momente nga fëmijëria dhe deri tek të qenit nënë.

Miss-i rrëfeu për publikun se ka punuar që kur ishte e vogël. Puna e parë për Adrolën ka qenë në vendlindjen e saj, Rrëshen duke shitur rroba me të ëmën. Ajo tregoi se në njëfarë mënyre kjo e ka rritur jashtë mase, por nuk nguroi të tregonte se në atë kohë nuk e kuptonte dhe ndonjëherë i vinte turp.

“Ideja është që unë jam një vajzë që kam punuar që e vogël dhe e kam thënë faktikisht këtë gjënë dhe jam shumë krenare për këtë gjë. Kam punuar, kam shitur rroba me mamin për 10 vite në Rrëshen. Dhe është diçka që mua më ka bërë jashtëzakonisht mirë, edhe pse atëherë mbase më vinte pak turp, ndjehesha pak keq nga moshatarët e mi a ku di unë se ça. Tani ndjehem shumë me fat që e kam bërë atë gjë. Dhe më ka rritur pafund,”-është shprehur Adrola Dushi.

Duke folur për të birin, Adrola u shpreh se pengu i saj i vetëm është se nuk ka kaluar kohë mjaftueshëm me të. Teksa shtoi se po përpiqet të jetojnë bashkë pa shkëputje për shkak të angazhimeve të saj. “Nuk e kam kohën maksimale me Troin. Tani jemi afruar shumë por e di nevojën që ka ai për nënën. Po mundohem të bëj maksimumin që shumë shpejt të jetoj pa lëvizur me të. Kur jemi bashkë jemi shumë të lumtur. Unë i vetmi pishman që kam, është që nuk kaloj dot kohën e plotë me të.”