Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, gjatë një vizite në shkollën 9-vjeçare “Adem Krasniqi” në lagjen “Skënderbej” në Elbasan, ka paralajmëruar mbylljen e shkollave, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit. Ministrja deklaroi se këtë fundvit do të ketë një periudhë më të gjatë pushimesh se vitet e tjera.
“Vendosëm që nxënësit e fillores të vijnë në shkollë sepse për ta është më e vështirë të zhvillohet mësimi “online”, por edhe konsiderohen si jo-transmetues të fortë të COVID-19. Edhe pak ditë mbeten deri në përfundim të këtij tre-mujori dhe kërkoj përkushtim, të kalojmë edhe këto ditë, dhe më pas do të kemi një periudhë më të gjatë pushimesh se vitet e tjera, e cila besojmë se do ta stabilizojë disi situatën”, u shpreh Kushi.
Balla, nga ana e tij, kërkoi më shumë përkushtim dhe disiplinë në këtë shkollë si dhe më tepër bashkëpunim dhe komunikim me prindërit. Balla tha se ky shqetësim është përcjellë nga komuniteti dhe një shkollë me të gjitha standardet infrastrukturore, si shkolla “Adem Krasniqi”, nuk mund të ketë standarde mësimdhënieje më të ulëta se shkollat e tjera të qytetit.
“Perceptimi i prindërve është se kjo shkollë s’ka të njëjtin rregull si shkollat e tjera të qytetit. Pra, duhet që shkolla e lagjes “Skënderbej” të mos ketë asnjë ndryshim në standard nga shkollat e tjera” – u shpreh Balla.