Masat kufizuese/ Mblidhet Komiteti Teknik, Manastirliu tregon si do të veprohet në vijim

Masat kufizuese të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së coronavirusit do të vijojnë të mbeten në fuqi. Nga mbledhja e Komitetit Teknik, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se “do të kemi në fuqi masat që kemi marrë dhe mendojmë se kanë dhënë efekt”. Kjo do të thotë se ndalimi i qarkullimit pas orës 22:00 deri në orën 06:00 do të mbetet në fuqi edhe në ditet në vijim.

“Gjithashtu do të vijojë të mbetet kufizimi për baret dhe restorantet në këtë orar. Për të gjithë ata që u duhet të dalin pas kësaj ore, platforma e-albania mundëson lejen”, tha Manastirliu.

Ndërkaq, mësimi në universitete do të vazhdojë të zhvillohet online, pavarësisht thirrjes së studentëve për rikthimin në auditore.

Edhe fluturimet me Britaninë e Madhe do të mbeten të pezulluara deri më 1 shkurt.

Ministrja theksoi se vihet re një rritje e rasteve pozitive me Covid-19 që, sipas saj, vjen edhe si pasojë e festave të fundvitit.