Elbasani pret të hënën Devollin,  pritet një “Elbasan Arena” i mbushur

Elbasani do të luajë të hënën në orën 14:00 në “Elbasan Arena” përballë Devollit me synimin e vetëm për të marrë tri pikët dhe vijuar me ecurinë e rezultateve pozitive. Për shkak se të dielën në këtë stadium luan Partizani me Kastriotin, për të mos humbur mundësinë që skuadra të luajë në shtëpinë e saj, është vendosur që përballja të shtyhet me 24 orë. Pritet që ashtu si në ndeshjen hapëse me Luftëtarin, në stadium të ketë një prezencë të madhe të tifozëve, edhe pse bëhet fjalë për një ndeshje ditë të hëne dhe në orar pune.

Elbasani e ka treguar se është një qytet sportëdashës dhe po jep leksione sa i përket mbushjes së stadiumeve në futbollin shqiptar, edhe pse skuadra luan në Kategorinë e Dytë. Tifozët kanë nisur organizimin për të qenë sa më të shumtë në numër, teksa në qytet duket se është rikthyer edhe njëherë entuziazmi i munguar i këtyre viteve të fundit. Në sfidën e parë hapëse ndaj Luftëtarit ishin të pranishëm afro 3 mijë tifozë, ndërsa përballë Devollit numri i tyre pritet të jetë edhe më i madh.

Verdheblutë e Gentian Stojkut vijnë në këtë sfidë pas barazimit në Pogradec, një rezultat deri diku i kënaqshëm duke qenë se përballë kishin një rival direkt dhe për më tepër në transfertë. Sa i përket ndeshjes me Devollin, synimi i vetëm mbetet marrja e tri pikëve, me elbasanasit që këtë sezon synojnë ngjitjen në të Parën.