“E prita të diplomohej në Itali, më iku në Angli”, Belind Këlliçi dhe Anna Shkreli rrëfejnë historinë e dashurisë

Belind Këlliçi dhe partnerja e tij, Anna Shkreli kanë dhënë intervistën e parë bashkë në media. Në një rrëfim ndryshe, të ftuar në emisionin “Rudina” ata kanë folur për raportin e tyre, momentet e bukura e të vështira dhe interesat e përbashkëta që ndajnë. Njohja e tyre ka ndodhur rreth 10 vite më parë në një bar në kryeqytet, por të dy e përcaktojnë ndryshe këtë moment.

“Unë quaj ditën e parë që u prezantuam përmes miqve të përbashkët. Anna ishte studente në Itali në atë kohë e ndërkohë unë isha kthyer, isha me punët e mia, sa kisha filluar në njëfarë mënyre edhe jetën, edhe karrierën time politike në Tiranë. Unë quaj këtë njohje të parë. Kurse Anna quan momentin kur jemi ulur realisht dhe kemi patur një bisedë të gjatë me njëri-tjetrin”.

Anna Shkreli u shpreh se marrëdhënia me Belindin ka kaluar në provën e durimit, të pritjes dhe është konsoliduar gjithnjë e më shumë. Ishte pikërisht distanca, për shkak të studimeve të saj në Itali, e më tej, masteri në Angli, një prej momenteve që provoi se sa e fortë dhe rezistente ishte ajo çka të dy kishin për njëri-tjetrin.

Anna dhe Belindi, e pranuan se ajo çfarë i mbante bashkë ishte e fuqishme dhe kaloi provën e largësisë dhe pritjes.

“Historia ime me Belindin është një histori interesante, sepse për mua është një histori që dëshmon faktin se sa e rëndësishme është që dikë edhe të dish ta presësh, në njëfarë mënyre, sepse unë kam qenë në Itali, pastaj jam kthyer shumë shkurt në Shqipëri, pastaj kam ikur prapë në Angli, pastaj kam kryer eksperiencat e mia master dhe eksperiencat e mia me radhë. Në njëfarë mënyre, kjo është një marrëdhënie njerëzore, e cila nuk ka ecur përpara duke u nxituar për të arritur diku, kjo është shumë e rëndësishme. Është një marrëdhënie që ka ditur të presë dhe ka ditur t’i përballojë edhe ditët e mira, edhe ditët e këqija”.

“Edhe unë kam ditur të pres, me thënë të drejtën. Prita Annën që të diplomohej në Itali dhe të mbaronte studimet e veta në Itali. Ka qenë një moment i vështirë kur Anna më komunikoi më pas që donte, e kishte marrë vendimin që të shkonte në Angli për të bërë masterin. Sigurisht nuk është se e prita shumë, shumë mirë në aspektin tim personal, por ishte diçka, një eksperiencë që Annës i duhej patjetër dhe ishte ëndrra e saj që të ikte për master në Angli” – shtoi më tej Belindi.

“Pavarësisht se Belo mund mos ta ketë marrë si lajmin më të mirë të mundshëm, ai asnjëherë nuk ma peshoi këtë gjë. Asnjëherë nuk më tha që jo mos shko, as nuk bëhet fjalë, por as nuk më tha që mund të mërzitej. I vetmi reagim që pati pak më emocional ishte që më ka shkruar një letër para se unë të ikja, të cilën unë e kam akoma dhe vetëm kjo, por aspak që unë të ikja me kokën mbrapa apo të mendoja që… Nuk kishte një reagim egoist dhe në rregull, që ti do ta shohësh tjetrin të rritet dhe nëse është e thënë të jetë, do jetë”.