“Drejtësi për Shqipërinë, e vodhët”/ Ndjekësit e Eurovizionit “shpërthejnë” me kritika: Ronela duhet të fitonte, ku shkuan votat tona?

“Drejtësi për Shqipërinë dhe Ronelën”, kështu shprehen mijëra ndjekës të “Eurovision Song Contest”, pasi këngëtarja Ronela Hajati më këngën e saj “Sekret”, u la jashtë finales.

Rrjeti social instagram i Eurovizionit, konkretisht postimi për 10 kualifikimet për finale e mdhe, është mbushur me kritika nga ndjekës nga e gjithë bota, të cilët e cilësojnë si të padrejtë vendimin për lënien jashtë të Ronela Hajatit.

Disa prej tyre e cilësojnë të korruptuar Eurovizionin, duke kërkuar llogari për votat e tyre që i kanë dërguar ndaj Ronela Hajatit.

“Na treguat që jeni të pavërtetë”, “drejtësi për Shqipërinë”, “Jemi të shokuar, ku është Shqipëria”, “ç’farë ndodhi me Shqipërinë”, “vodhët Shqipërinë”, “turp t’ju vijë”, “Shqipëëri, ti ke fituar për ne”, “ku janë votat tona”, janë disa prej komenteve të shumta drejtuar Eurovizionit, të cilat numërohen me mijëra (mund t’i shihni edhe në fotogalerinë e mëposhtëme).

Tre rastësi rekordesh për Ronelën në Eurovizion

Që prej nisjes së provave zyrtare për performancën në Eurovizion, Ronela u përball me incidentin e parë, ku organizatorët i fshinë foton, pasi e cilësuan si provokuese. Rastësia e parë ishte se fotoja e Ronelës, theu rekorde pëlqimesh, duke lënë pas çdo vend tjetër.

Së dyti, natën e 10-majit në faqen e “Instagram”, Eurovizion hodhi disa pjesë së secilës perfomancë, ku ajo e Ronelës me “Sekret”, numëron plot 412,027 shikime, ku përveç Ukrainës, lë pas çdo vend tjetër që performoi.

Së treti, këngët e postuara në kanalin e Eurovizion në “Youtube”, sërish Ronela theu rekord me klikime, duke kapur 1.7 mln klikime, dhe përsëri veç Ukrainës, lë pas çdo video tjetër.

Pavarësisht se nuk kaloi në finale, duket se performanca e Ronelës bashkë me trupën e baletit duket se është pëlqyer shumë nga ndjekësit nga anë e mbanë botës.