Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero foli për konferencën e mbajtur sot nga Komiteti i Ekspertëve, të cilët lajmëruan masat kufizuese që do zgjasin për tre javë. Pipero tregoi se ka kërkuar që të kufizohen kapacitetet në bare e lokale, të cilat me masat e reja do të mbyllen në orën 10 të darkës dhe nuk do të happen deri në 6 të mëngjesit. Sipas mjekut, këto masa i paraprijnë një mbyllje totale, që në mendimin e tij nuk do të përsëritet në vendin tonë.
“Natyrisht që vendimin për mbylljen dhe unë e kam dëgjuar nga mediat. Të gjithë biem dakord që mbyllja nuk është zgjidhja por është e detyruar nga rritja e shifrave”, – tha ai.
“Është një vendim i cili po merret në të gjitha vendet e botës. Unë kam kërkuar që të kufizohen kapacitetet e bareve dhe restoranteve, duke hequr tavolinat, Vendimi për masat e reja kufizuese i paraprin një mbylljeje totale. Në mendimin tim nuk do të ketë një karantinë të plotë të dytë”, tha Pipero për Fax News.
Sa i përket deklaratave të qytetarëve se pacientët presin në autoambulanca, ku edhe trajtohen se janë ezauruar vendet tek Infektivi dhe Shefqet Ndroqi, Pipero e mohoi duke treguar si qëndron e vërteta.
“Besoj që asnjë nga këto që po më thoni ju, të paktën në dijeninë time nuk qëndron aq sa po e nënvizoni. Unë përditë kaloj nëpër pavijone, përditë shikoj të sëmurë. Natyrisht ka momente të caktuara kur prurjet në urgjencë janë më të mëdha se shtretërit në urgjencë, por jo në spital dhe duhet disa minuta, ndoshta dhe më shumë se kaq që të sistemohen, pra të kalojnë në pavijon personat që janë në urgjencë dhe të futen edhe të tjerë”, – tha ai.
“Nuk është kaq e thjeshtë të administrosh një pacient nga autoambulanca në urgjencë dhe nga urgjenca lart në pavijon. Secila procedurë do kohën e vet dhe shpesh duket sikur “obobo munguan vendet”. Në fakt është procedura që zgjat sepse kemi të bëjmë me jetën e qytetarit dhe duhet të jemi të përgjegjshëm në cdo hallkë të shërbimit shëndetësor ndaj pacientëve”.
“Natyrisht nuk do të doja të kishim pritje me autoambulancë jashtë, por besoj që në rast se koha e nevojshme për të ofruar shërbimin mund të zgjaste më pak, besoj që shërbimi nuk mungon por duhet dhe pak durim për tu sistemuar. Dua të theksoj që ndoshta shumë shpejt situata mund të diktojë hapjen e spitaleve të ashtu quajtura për Covid 3 dhe 4 në Tiranë, por edhe të rajonaleve, i cili nuk është një opsion që nuk po diskutohet dhe ezaurohet”, – tha Pipero