Bledi Çuçi nuk do të jetë më ministri i Brendshëm. Ai është shkarkuar nga Kryeministri Rama pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Thumanë, dhe daljen në skenë të lidhjeve të policisë së Krujës me familjen Rraja e cila dhunoi në mënyrë makabre Jashar dhe Bilbil Majën.
Pas shkrirjes së komisariatit të Krujës, Bledi Çuçi është ‘koka’ tjetër e prerë e kësaj ngjarje. Rama njoftoi shkarkimin e Çuçit dhe emërimin e Taulant Ballës në vend të tij.
Dhuna e fisit Rraja ndaj kushërinjve Maja, policia e Krujës: Bllokohet gurorja në Borizanë, u kontrolluan dhe 9 banesat e dëmtuara
“Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të Republikës propozimet e mëposhtme! Falënderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Punëve të Brendshme Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtet ndërtuese në çdo drejtim”, ka shkruar Rama në Tëwitter.
Në reagimin e tij gati 2 orë më pas, Bledi Çuçi falënderoi kryeministrin Rama për besimin duke e konsideruar nder dhe përgjegjësi punën për 2 vite e gjysmë.
“Prej ditës së parë kur e mora atë detyrë e deri më sot kam punuar e shërbyer me integritet dhe bashkë me skuadrën e Ministrisë së Brendshme kemi adresuar shumë sfida që lidhen me sigurinë, rendin publik, emigracionin, gjendjen civile dhe pushtetin vendor. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që ishin krah meje në këtë rrugëtim sfidues”.
Shkarkimin e Çuçit opozita e konsideron të merituar por e cilëson të rëndë aktin e Ramës për të çuar Taulant Ballën në krye të Ministrisë së Brendshme. Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi thotë se ky akt i Ramës është shumëfish më i rëndë sesa vetë ngjarja që solli shkarkimin e Çuçit.
“Botërisht dihet që Ministrat e Brendshëm emërohen për të luftuar krimin e organizuar. Vetëm në Qeverinë e Edi Ramës ndodh që emërohen për të forcuar dhe konsoliduar lidhjet mes krimit të organizuar dhe qeverisjes”, shkroi Çuçi.
Bledi Çuçi u emërua në pozicionin e Ministrit të Brendshëm në dhjetor të vitit 2020, ndërkohë që u rimandatua në shtator 2021. Më parë ai ka mbajtur postet qeveritare të ministrit të Bujqësisë dhe ministër Shteti për Çështjet Vendore. Ndërsa Taulant Balla, i cili pritet të jetë ministër i Brendshëm do ta ketë postin e parë në një kabinet qeveritar.
Mbetet për t’u parë kush do të emërohet në krye të grupit parlamentar socialist, post që e ka mbajtur Balla që prej vitit 2017.
Vendimi i kreut të qeverisë për shkarkimin e Çuçit dhe emërimin e Ballës erdhi pas ngjarjes së ndodhur 2 ditë më parë që tronditi opinionin publik, dhuna e fisit Rraja ndaj kushërinjve Maja për guroren në Krujë. Po ashtu, Rama mori këtë vendim pas daljes së fakteve që policia në Krujë kishte lidhje me dhunuesit dhe 40 denoncime nga qytetarët nuk ishin marrë seriozisht por flinin në sirtarët e policisë.
Banorët thonin se në vend që të merreshin masa, u kërcënuan me burg e pranga nga shefi i komisariatit të Krujës nëse dilnin të protestonin për të bllokuar aktivitetin e tyre.
Hetimet
Kryetari i degës që banori thotë se i ka kërcënuar me burg është ish shefi i komisariati të Krujës Elton Shahini, për të cilin Report TV mësoi se ishte larguar nga detyra vëtëm pak kohë më parë. Burime në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë thanë se jo vetëm për rastin e sulmit barbar ndaj kushërinjve Maja, por për çfarë ndodh në Krujë, është ngritur një grup special hetimor. Do hetohet për kallëzime jo vetëm të fshatarëve të Borizanës, në lidhje me guroren që po u shëmb shtëpitë, por edhe të personave të tjerë, nga zyrtarë të lartë, pushtetarë vendorë, drejtues institucionesh, juristë, policë, shumë prej tyre të dorëhequr, si viktima të terrrorit, shantazhit dhe kërcenimeve.
Dhuna për guroren
Anëtarë të fisit Rraja dhunuan në mënyrë brutale dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, të cilët ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, po u shkatërronin banesat e tyre por dhe të zonës përreth. Mesditën e 6 korrikut 2023, ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur grupi i dhunuesve mësyu lokalin dhe ata bien pre e një dhunë barbare.
Gurorja është në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja, policia ka arrestuar 4 persona, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre Rexhep Rraja djali i deputetit dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja.