Çfarë fshihet pas fustanit të dukeshës? Simbolika e veshjes së Meghan Markle në intervistën me Oprah Winfrey

Me siguri, edhe ju nuk keni menduar që Meghan Markle do të vishte një fustan bazik për një prej intervistave më të rëndësishme të jetës së saj, pas daljes nga familja mbretërore, apo jo? Për intervistën e shumëpërfolur me Oprah Winfrey, e cila u transmetua të dielën, Dukesha e Sussex-it zgjodhi një fustan simbolik, përmes të cilit ka dërguar një mesazh shumë të rëndësishëm për mijëra shikues që ishin gati për të ndjekur çdo copëz të rrëfimit të saj dhe Princit Harry.

Meghan zgjodhi një fustan të zi mëndafshi nga Giorgio Armani, me një rrip në bel, mëngë të gjata dhe me disa zambakë të bardhë të qëndisur në anën e djathtë. Sipas revistës “Town & Country”, zambakët e ujit përfaqësojnë rilindje dhe çlirim shpirtëror. Zambakët e ujit “mund të lulëzojnë, pavarësisht kushteve sfiduese në dukje”.

Megjithëse këto lule kanë tendencë të rriten më shumë në hapësira me ujëra të errëta, ato lulëzojnë gjithmonë duke i bërë të gjithë njerëzit që t’i admirojnë. Është e dukshme që ekzistojnë paralele të dukshme midis jetës së Meghan, në përpjekje për t’u larguar nga familja mbretërore. Siç tha ajo, është ndier gjithmonë nën presionin toksik britanik të mediave, por edhe të familjes mbretërore, derisa vendosi të përballej me sfidat dhe të hiqte dorë përfundimisht nga ai status.

Dëshira e Meghan për ta përcjellë simbolikën e këtij fustani nuk u ndal me kaq, megjithatë ajo e kombinoi fustanin e saj të Armani-t me një byzylyk diamanti, që dikur i përkiste Princeshës Diana. Kjo mund të ketë qenë mënyra e saj delikate për të provokuar edhe ngacmimet e ashpra nga shtypi britanik për vjehrrën e saj të ndjerë.

Fustani i Meghan vijon të jetë ende në gjendje në internet dhe kushton plot 4700 dollarë.