Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një intervistë me gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania analizoi situatën e pandemisë në Shqipëri. Ajo e përjashtoi mundësinë e një rimbylljeje të plotë, por tha se situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe gjithçka do te varet nga numrat dhe situata në spitale.
“Varet nga situata. Situata ndryshon ka dinamikën e saj, dhe ka disa elementë dhe faktorë që vlerësohen nga grupi i ekspertëve. Ky vlerësim që bëhet është dinamik. Bëhet një vlerësim i përgjithshëm se si do të shkojë situata, por ajo që në presim është bashkëpunimi me qytetarët. Të sakrifikojmë nga vetja jonë dhe ta ulim kurbën e infektimeve dhe së bashku do t’ia dalim. Po përballemi me një virus të rrezikshëm dhe ne jemi në front. Këto nuk janë masa të forta, por mesatare, dhe vlerësohen nga ekspertët se do të një kufizim të numrave”,- tha ajo.
Manastirliu u shpreh se në momentin që dyshoni se jeni infektuar duhet të izoloheni dhe të referoheni tek mjeku i familjes. Ndërkohë shtoi se përmes mjekut të familjes mund të bëhet subvencionimin i shpenzimeve për qytetarët.
Si duhet të veprojnë qytetarët kur dyshojnë se janë infektuar?
“Në momentin që dyshoni është izolimi dhe referimi tek mjeku i familjes. Është e rëndësishme të kuptojmë protokollin. Ajo çfarë dua t’ju them është që ne do të marrim vendimin e duhur duke u kujdesur për shëndetin e qytetarëve. Ka pasur fluks të jashtëzakonshëm për testime. Është një fluks që erdhi si një valë e madhe. Por nuk jemi të vetmit që po hasim vështirësi në një pandemi.”