Big Brother VIP ishte spektakolar, derisa Lori Hoxha bëri një gafë

E keni vënë re se sa shumë po vuajnë autorët e programit Big Brother VIP për të krijuar histori dhe ngjarje të reja brenda mureve të shtëpisë më të famshme në Shqipëri e Kosovë?

E natyrshme, kur mendon se tashmë kanë kaluar 3 muaj izolim dhe shumica e banorëve janë të sfilitur. Të gjithë kanë rënë dakord, ndonëse pa ndonjë bujë dhe ankesë të madhe, se zgjatja me 30 ditë të tjera e programit ka qenë thjesht një tentativë për të shtuar të ardhurat.

Në fakt, jo vetëm kaq. Me zgjatjen e programit, Big Brother VIP u duk si një kopje totale e emisionit Grande Fratello në Itali, që praktikisht është e njëjta gjë. Edhe përtej Adriatikut ndodhi ky skenar, pra zgjatja e emisionit. Sapo ndodhi andej, e bënë edhe në Shqipëri. Tani të kalojmë te tema kryesore. E dini cila është gafa më e madhe e Lori Hoxhës, producentes së Big Brother VIP? Mund ta themi se janë 5: fiks sa numri i banorëve të rinj që u shtuan së fundmi.

Figurat e fundit që u futën në shtëpi ishin gafa e këtij produksioni. Ata jo vetëm që nuk njihen në publik, por janë të dobët si lojtarë. Nuk prodhojnë thuajse asgjë.

Mbrëmë u kuptua qartësisht se sa e qetë është situata në shtëpi, pa ngjarje dhe histori. Arbana Osmani u përpoq pafund të shtynte 2 orë emisionin vetëm me një ngjarje të stisur, një lojë banale, e moderatores nga Kosova, Egzona, e nxitur nga Beatrix Ramosaj. Ishte një lojë si ajo që luanim dikur, “Doktorash”, pra duke u shtirur sikur njëra vajzë ngacmonte Donaldin për t’ia marrë tjetrës.

Big Brother VIP sivjet ka qenë spektakolar, por fiks kur pritej që të shtoheshin banorë me energji të reja, që të japin një stimul ekstra, ndodhi e kundërta. Një tenist i panjohur, një koreograf në fund të karrierës, një këngëtare e panjohur, një moderatore e zakonshme nga Kosova dhe një koreograf thuajse anonim, me një histori të para 11 viteve, pa kuptim, nuk mund të krijojnë asgjë në Big Brother.

“Shto ujë e shto miell”. Kjo shprehje e urtë popullore do shoqërojë Bigun deri më 18 shkurt.