Ami përgjigjet një herë e mirë për pyetjen që ia bëjnë të gjithë, por…

Producent në disa prodhime kinematografike vitet e fundit, Ermal Mamaqi, pas disa ditësh do të prezantojë edhe “H.O.T” – projekti i fundit i cili ka bërë bashkë emra shumë të njohur aktorësh shqiptarë.

Megjithatë, edhe pse ka bashkëpunuar me shumë artistë, Ermali në asnjërin prej projekteve të tij nuk e ka përfshirë bashkëshorten. E fokusuar pothuajse gjatë të gjithë kohës në biznes, edhe Ami nuk ka dashur “të përzihet” në projektet e Ermalit, por angazhimi në një fushë tërësisht tjetër nuk është e vetmja arsye.

E vërteta është që propozimi për të qenë pjesë e produksioneve të tij nuk ka munguar. Por, ajo ka refuzuar. Me pyetjen “pse nuk është bërë pjesë e filmave të tij”, Ami është ndeshur shpesh, edhe në diskutimet që ka pasur vazhdimisht edhe në rrjetet sociale nga ndjekësit e saj.

E ftuar në “Rudina” për të ndarë me publikun të rejat nga fusha e biznesit, por edhe disa detaje për raportin me televizionin, Ami shpjegoi edhe pyetjen që ia bëjnë më shpesh të gjithë.

“Ka pasur një propozim për një rol episodik, por e kam refuzuar. Në fakt, është pyetja që ma kanë bërë shumë shpesh. Rolin në filmin me Elvanën e refuzova, sepse nuk mendoja që duhet ta luaja në një film të Ermalit… Nuk kam pse të jem pjesë e filmave të tij. Ne e kemi shumë të qartë punën e secilit dhe, për më tepër, ai është edhe producent. Nuk do të doja që të mendohet që ‘ja Ermali i ka në dorë filmat vetë, tani merr edhe Amin…”

Ami tha se në rastin kur vetë Ermali është udhëheqësi, ajo do ta mendonte shumë me tëpër një propozim sesa po të vinte nga dikush tjetër në vend të tij. “Gjithsesi, nuk i dihet…” – shtoi me të qeshur Ami duke lënë të hapur idenë se, ku i dihet, në të ardhmen, mund të jetë një rol ku ajo ta ndiejë veten të përfshirë.