PD Elbasan: Thirrje qytetarëve për t’u bashkuar në protestën e 23 dhjetorit në Tiranë

Partia Demokratike, Dega Elbasan, ka vijuar takimet me strukturat e saj në kuadër të përgatitjeve për protestën e madhe të opozitës, e cila është thirrur për t’u mbajtur më 23 dhjetor në Tiranë.

Sipas deklaratës së PD Elbasan, protesta e së hënës, ashtu siç është theksuar edhe nga lideri i opozitës, Sali Berisha, pritet të jetë një nga më të mëdhatë e organizuara deri më tani nga Partia Demokratike.

“Në këtë protestë duhet të bashkohen të gjithë ata që ndihen të pavlerësuar gjatë tre mandateve të qeverisjes Rama. Pensionistët, të cilëve qeveria nuk iu ka dhënë vlerësimin e merituar për djersën e tyre, intelektualët dhe njerëzit e punës që nuk shohin një të ardhme në vend, si dhe fermerët e lënë në harresë në këto vite, janë të ftuar të marrin pjesë,” thuhet në thirrjen e PD-së.

Sipas strukturave të PD-së në Elbasan, varfëria ka prekur çdo skaj të vendit dhe tashmë është koha për një reagim të fortë qytetar.

“Është koha të bashkohemi për një ndryshim të vërtetë,” përfundon deklarata