Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për sigurimin e jetës së personelit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, që dërgohet me misione ushtarake dhe stërvitje jashtë vendit.
Detajet e këtij vendimi janë publikuar në faqen zyrtare te këshillit të ministrave.
“1. Ministria e Mbrojtjes siguron jetën e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që dërgohet në misione ushtarake dhe stërvitje jashtë vendit, për vitet 2024, 2025 dhe 2026.
2. Sigurimi i jetës së personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që dërgohet në misione ushtarake dhe stërvitje jashtë vendit, për vitet 2024, 2025 dhe 2026, bëhet sipas kontratës që lidhet me shoqërinë e sigurimit, të përzgjedhur sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. Ky sigurim mbulon ngjarjet në rastet e:
a) humbjes së jetës për shkak të detyrës apo si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të saj;
b) zhdukjes;
c) dëmtimit shëndetësor, me pasojë paaftësi të përhershme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë kohëzgjatjes së misionit ushtarak dhe stërvitjes jashtë vendit;
ç) dëmtimit shëndetësor, me pasojë paaftësi të përkohshme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë kohëzgjatjes së misionit ushtarak dhe stërvitjes jashtë vendit;
d) shërbimeve mjekësore në spitalet publike ose private brenda dhe/apo jashtë vendit, kur mbulimet shëndetësore nuk ofrohen në spitalet publike.
3. Shuma e përcaktuar në kontratën e sigurimit, për çdo person të siguruar, nuk është më e ulët se:
a) 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, për rastet e humbjes së jetës për shkak të detyrës apo zhdukjes së personit;
b) 12 000 000 (dymbëdhjetë milionë) lekë, për rastet e dëmtimit shëndetësor me pasojë paaftësi të përhershme;
c) 5 000 000 (pesë milionë) lekë, për rastet e humbjes së jetës, si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të detyrës;
ç) 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, për rastet e dëmtimit shëndetësor, me pasojë paaftësi të përkohshme.
4. Kushtet standarde të kontratës së sigurimit, përfshirë tabelën e koeficientëve të përfitimit ndaj dëmtimeve trupore, të miratuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, shërbejnë si kushte minimale, të detyrueshme për t’u zbatuar nga shoqëritë e sigurimeve.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
Top Channel