Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri bashkë me kryetarin aktual të Bashkisë Kastriot Gurra prezantuan kandidatin e Partisë Socialiste për Librazhdin, Mariglen Disha.
Gjiknuri deklaroi se Disha ka gjithë eksperiencën e nevojshme që të vijojë punën e mirë të bërë deri më tani në shërbim të qytetarëve.
“Librazhdi është një eksploziv që mezi pret të shpërthejë, jo tërmet, por eksploziv, një vullkan energjie pozitive që do ta ndryshojë shumë më tepër këtë vend. Ajo çfarë pret nga kryetari i bashkisë i gjithë ky qytet i nderuar, qytet punëtor, një krahinë që ka respektin e të gjithë Shqipërisë, pret një njeri të dedikuar që deri në fund mundohet ta çojë angazhimin e tij atje ku duhet. Kjo kërkohet nga kryetari i bashkisë, i pari i qytetit. Që të jetë shtëpia ku trokasin të gjithë dhe ky si i pari i kësaj familje të madhe të jetë atje në shërbim të qytetarëve si i miri i punës për Partinë Socialiste. Jo më kot e përzgjodhëm sepse është i tillë. E ka treguar veten kudo që ka qenë”, tha Gjiknuri.
Drejtuesi politik i qarkut siguroi se Mariglen Disha do të ketë mbështetjen e qeverisë për të çuar përpara shumë projekte të rëndësishme. “Marigleni nuk është vetëm në këtë garë është përfaqësues i Partisë Socialiste. Ne jemi një familje e madhe politike. Natyrshëm Marigleni s’do të jetë asnjëherë vetëm, po edhe ju s’do të jeni vetëm. Sepse angazhimet që merr kjo forcë do të përpiqet, do luftojë deri në fund, ti çojë ashtu siç e meritojnë qytetarët e Librazhdit”, tha ai.
Numri dy i socialistëve komentoi dhe alternativën përballë. Gjiknuri tha se më 14 maj, qytetarët do të dinë të zgjedhin njeriun e punës dhe jo dyshen Berisha-Meta për ta shndërruar Librazhdin në bunker politik. “Çfarë janë Sali Berisha dhe Ilir Meta për Librazhdin? Si thonë asgjë, zero. E çon në një të kaluar të errët që ju e dini shumë mirë dhe e keni provuar në kurriz. Asnjë qytetar jo vetëm në Librazhd, por në të gjithë Shqipërinë nuk do të kthehet mbrapa. Zgjedhja që kemi është e ardhmja përpara me njeriun e punës Mariglen Disha dhe nga ana tjetër e kaluara Ilir Meta, Sali Berisha slesh Çota që është këtu. Ata janë padronët e vërtetë, ai është përfaqësuesi i tyre këtu, i cili as mbështetje të qeverisë nuk ka. Këta kur e marrin pushtetin e kthejnë në bunker politik. Duan të eksportojnë revolucionin e famshëm të Tiranës dhe në Librazhd. Në fakt Librazhdi bën revolucione patriotike, po jo të ndjekë lëvizjet Haxhi-Qamiliste Meta – Berisha të cilët ne i kemi provuar dhe vetëm na çojnë mbrapa”, tha Gjiknuri, teksa shtoi se më 14 maj do të shënohet shkëputja përfundimtare nga ato politika të vjetra që e kanë marrë peng këtë vend.
“Vota për Mariglenin dhe për këshilltarët e Partisë Socialiste jo vetëm është garanci për Librazhdin po është garanci për shkëputjen nga e kaluara dhe për vazhdimin e të gjithë reformave të nisura në Shqipëri me në krye qeverinë e Edi Ramës. Jo më kot Edi Rama e zgjodhi këtë burrë këtu sepse do një njeri të punës këtu për të vazhduar ato projekte që kanë mbetur në mes për Librazhdin. Mariglenit nuk do ti mungojë mbështetja e Edi Ramës, e imja dhe e gjithë Partisë Socialiste për ta çuar përpara këtë punë. Ju e shikoni që në këto kohë po përballen dy filozofi, dy politika, dy modele, nga njëra anë është modeli jonë i zhvillimit dhe modeli i tyre që na çon mbrapa”.
Gjiknuri tha se fitorja në zgjedhjet e 14 majit ndihmon dhe në arritjen e një rezultati të suksesshëm në zgjedhjet e e përgjithshme të 2025 për të çuar përpara programin. “Vota e 14 majit konsolidon edhe arritjet tona politike. I bën zgjedhjet që do të vijnë, të 2025-ës, patjetër shumë më afër fitores. Po nuk është çështja të fitojmë, nuk e duam fitoren thjesht ta themi si fitore. Fitoren e kemi që të çojmë përpara programin që është në dobi të qytetarëve, të pensionistëve, të rrogtarëve, të rinjve dhe të rejave të cilët me paga më të mira do të gjejnë mundësi më të mira në shtetin tonë, në administratën tonë. Me ekipin e këshilltarëve të Partisë Socialiste me shumicën që do ta ketë kryetari i bashkisë në krah ne do çojmë projektet përpara. Ky është modeli që kemi zgjedhur, modeli i punës, modeli i të shkuarit përpara”, deklaroi Gjiknuri.
Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri bashkë me kandidatin Mariglen Disha dhe ekipin politik vijuan me mbjelljen e pemëve në kuadër të rrugëtimit të gjelbër drejt 14 majit.