‘Për Angli me 9 mijë € borxh’, emigranti: S’i fitoj në Has 100 paund për 8 orë punë

I dërguari i Euronews Albania në Kale të Francës, qyteti bregdetar nga nisen ilegalisht emigrantët shqiptarë me gomone për në Angli ka zhvilluar një bisedë me një prej të rinjve nga Hasi që tashmë ka kaluar ngushticën e Doverit.

Emigranti shqiptar që nuk dëshiron të identifikohet, tregon për gazetarin Xhensil Shkëmbi arsyet që e çuan drejt kësaj rruge.

Ai thotë se kishte paguar 9 mijë euro për të kaluar nga Franca në Dover, të cilat i kishte marrë borxh.

I riu shprehet se nuk është penduar që është larguar nga Hasi, ku siç tha jetonte me 140 mijë lekë në muaj, ndërsa në Angli punon në ndërtim ku fiton 100 paund për 8 orë punë.

“Në Angli punoj në ndërtim. Nuk kam ndërmend të merrem me shtëpi bari. Kam ardhur me para borxh nuk mund të pres që të më kthejë policia mbrapsht”, shprehet i riu.

Ai shprehet se i ka humbur shpresat në Shqipëri ndërsa kërkon nga shteti shqiptar që të krijojë kushtet për të rinjtë që të mos marrin rrugët e botës dhe të jetojnë larg njerëzve të tyre, gjë që siç thotë askush nuk e dëshiron.