Reperi Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit Noizy, e cilësoi një ëndërr të bërë realitet koncertin Alpha Show, ku u shitën mbi 18 mijë bileta duke tejkaluar çdo event tjetër.
Ai tha se kostoja e koncertit ku ishte i vetmi sponsor gjeneral, ishte mbi gjysmë milioni euro. Në një intervistë për Euronews Albania, Noizy tha se këtë shifër e kishte vendosur që nga fillimi, pavarësisht si do shkonte.
“Ishte një shifër mbi gjysmë milionë euro, isha sponsor gjeneral vetë se nuk kishte njëri ta merrte përsipër. Ideja është që nëse nuk vjen me shifrën e duhur, më mirë mos e bëj. E vendosa nga fillimi që ato lekë do t’i investoja. Nuk prita që gjatë rrugës do nxjerr dhjamë nga pleshti, i quajtura të humbura ato para pavarësisht si do shkonte”, tha këngëtari.9
I pyetur nëse i ka marrë mbrapsht ato para me koncertin, këngëtari tha se ende nuk e di se sa ka fituar, ndërsa theksoi se për momentin ka ndërmend të largohet për të pushuar pas impenjimit me Alpha Show.
Sa i takon marrëdhënies me Stresin, Noizy “ja vuri fajin” moshës. Ai u shpreh se nuk është bukur të shohësh burra duke u zënë për muzikë. Kur kthen sytë nga e kaluara, reperi mendon se ai person i debateve ka qenë dikush tjetër nga ai që është sot.
Noizy tha se konfliktet me Stresin janë pendesa e tij më e madhe në karrierë dhe debatet mes kolegësh nuk i uron asnjëherë. “Sigurisht që kam kolegë që nuk flas më me ta, por që Alpha Show do vazhdojë çdo vit dhe uroj që vitin tjetër ta përmirësoj këtë gjë dhe t’i ftoj”, u shpreh ai.