Qoshku

“Edhe unë jam biri Librazhdit” Çelet  ekspozita e piktorit të talentuar librazhdas, ushtarakut Gëzim Qoshku

Piktori i talentuar librazhdas, ushtaraku Gëzim Qoshku ka hapur ekspozitën e tij të rradhës e cila është e shtata vetëm gjatë viteve të fundit. Ekspozita e titulluar  “Edhe unë jam biri Librazhdit” ishte stacionuar  në hollin e Qendrës Kulturore “Sadi Halili”.

Kjo ekspozitë pikture u hap për publikun  gjatë kësaj fundjave në vendlindjen e tij  në Librazhd. Në të  u prezantuan vetëm 30 punime të llojit peisazh nga disa qindra  vepra të punuara prej tij gjatë periudhës 2019-2022.

Piktori librazhdas, Gëzim Qoshku e ka filluar karrierën në këtë fushë që i vogël dhe janë të shumta veprat e tij të vlerësura nga kritikët e artit përgjatë 40 viteve punë si artist. Piktori Qoshku  është treguar një mjeshtër i vërtetë në përdorimin e ngjyrave të cilat janë mjeti kryesor shprehës në artin e pikturës. Ai ka provuar të gjitha llojet kryesore të teknikave të pikturës gjatë gjithë karrierës së tij sikurse janë piktura në vaj, bojëra uji, tempera e pastel. Nëpëmjet pikturës Qoshku ka provuar të pasqyrojë fenomenet reale të jetës së shoqërisë shqiptare.

Ai ka preferuar të provojë të gjitha llojet e zhanreve  të pikturës dhe ka patur suksese si me peisazhin, portretin edhe me natyrën e qetë. Pikturat e punuara nga ana e tij janë realizuar gjatë kohës së lirë dhe në vende nga më të ndryshmet. Fillimet  janë në Librazhd  dhe më pas në  Elbasan e Tiranë. Por plot punime ka edhe në  bregdet ,male dhe së fundi në Qarkun e Shkodrës e më së shumti në Malësinë e Madhe ku punon prej kohësh si ushtarak në Burgun e Reçit.

Nëpërmjet pikturave të ekspozuara së fundi, Qoshku bën thirrje për ti dhënë më shume vlerë e dinjitet jetës dhe  për të qenë më të dashur me njëri tjetrin. Të pranishmit në këtë ekspozitë ishin personalitete të fushave të ndryshme  dhe qytetarë e artëdashës librazhdas të cilët diskutuan dhe dhanë vlerësimet e tyre lidhur me krijimtarinë e Gëzim Qoshkut i cili krahas punës si ushtarak ushtron edhe pikturën për të cilën gjithashtu falë pasionit qe ka patur edhe ka studiuar në Akademinë e Arteve.

Qoshku në ekspozitën e fundit ka prezantuar edhe një tablo  me katër piktura brenda një pikture gjigande qe kishte në sfond një fushë me lule.Ai ne nje kuadrat të ndarë në katër kuadrate të vegjël kishte sjellë në vëmendjen e të gjithëve katër ngjarje të tmerrshme të periudhës post komuniste sikurse ishin trazirat e periudhës Mars-Qershor 1997, Shpërthimi i Gërdecit, Tragjedia e Otrantos dhe 21 Janari, ngjarje për të cilat piktori thotë se drejtësia ende nuk e ka dhënë verdiktin e saj.

Ne mesin e tablosë qëllimisht piktori thotë se figura qëndrore është figura e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut , një zgjedhje kjo që sipas tij flet shumë për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.