‘Çdo ditë për 12 vjet’, Rudina Magjistari e nis me një gjest të veçantë sezonin e ri televiziv

Nuk ka 12 vjet në ekran, këtë e dimë të gjithë, por sot ka nisur sezoni i 12-të që Rudina është çdo ditë në ekran. Dhe këtë herë, premiera e programit të saj nisi me një simbolikë krejt ndryshe nga vitet e tjera. Përshëndetjen e parë me publikun, Rudina nuk e bëri si zakonisht nga studio, por nga kopshti i Tv Klan, aty ku ishte zhvendosur së bashku me stafin e saj për një qëllim të mirë.

“Vendosëm që me një gjest të bukur të urojmë mbarësi për të gjithë…” – tha Rudina duke treguar se mbjellja e një peme ishte një ide që autores së programit dhe stafit të saj i është dukur më me vlerë se asnjëherë në këtë kohë.

“Kemi vendosur që në fillim të sezonit të ri televiziv të mbjellim një pemë, si simbolikë e vazhdimësisë, jetës, por duke kujtuar edhe ngjarjet e shumta që ka pasur kjo verë, që na kanë shqetësuar, na kanë tronditur, na kanë ngjallur trishtim. Fenomeni i viteve të fundit, ngrohja globale, zjarret e shumta që kanë rënë këtë verë, na kanë bërë të japim një mesazh duke mbjellë një pemë në kopshtet e bukura të Tv Klan”, – tha Rudina ndër të tjera duke kërkuar nga të gjithë që të japin kontributin e tyre, qoftë edhe me gjëra të vogla.

Pasi i hodhi tri lopatat e para mbi pemën e re të kopshtit të Klanit, Rudina u uroi të gjithëve sezon të mbarë duke kujtuar plot 12 vite program të përditshëm në ekran: “Kemi 12 vite që shihemi çdo ditë me njëri-tjetrin, se së bashku kemi dekada që shihemi…”,– shtoi ajo me të qeshur.

Katalpa është pema që Rudina dhe stafi i saj i shtuan oborrit të gjelbër të Tv Klanit. Sado të dojë kohën e saj, me siguri do të jetë një pemë e mrekullueshme, jo vetëm për gjelbërimin që fal, por edhe për simbolin që mbart.