Sezoni turistik veror erdhi këtë vit me rritje çmimesh për shumicën e bregdetit shqiptar. Tur-operatorët dhe vetë strukturat akomoduese raportojnë rritje mes 10-40% nga Jugu në Veri. Për ata që duan pushime ekonomike, plazhet e Adriatikut janë alternativat më të lira me Velipojën dhe Shëngjinin. Durrësi është për të gjithë, nga më ekonomikët tek më luksozët, kurse Jugu me çmimet më të kripura në të gjithë vijën. Qeparoi është varianti më i lirë në Jon, kurse Palasa, Dhërmiu e Jali më të shtrenjtat. Në disa prej tyre, çmimi i një shezloni është sa çmimi i një nate në hotel.
Saranda dhe Durrësi janë dy qytetet me frekuentimin më të lartë, kurse Himara e Vlora mbeten në nivelet e një viti më parë. Pas një viti pushim, rizgjohet edhe industria e argëtimit dhe bregdeti “vlon” nga koncertet. Pavarësisht rigjallërimit të përgjithshëm të turizmit, operatorët e hotelerisë vërejnë se pushuesit kanë shkurtuar kohën e qëndrimit dhe kanë reduktuar shpenzimet.
Suada dhe Enea vendosën që pushimet e tyre t’i kalonin në Sarandë, por për rezervimin nuk u kujdesën vetë. Ua lanë në dorë një agjencie, e cila u llogariti se për 7 net do të paguanin 630 euro në një hotel me tre yje, i cili do të kishte të përfshirë mëngjesin dhe shezlonet. Deri këtu gjithçka dukej për bukuri për çiftin që me vete kishin edhe një fëmijë të vogël.
Surprizat në fakt nisën sapo mbërritën në hotel. Në recepsion u konfirmohet se nuk kanë rezervim në emrin e tyre dhe se nuk kanë as dhoma bosh. Pas kontaktit me agjencinë, hoteli konfirmon se paska një rezervim (pagesa nga hoteli ishte kërkuar që të bëhej cash, pasi nuk duhet të deklarohej në bankë). Më pas, problem ishte gjetja e dhomës e kështu vazhduan peripecitë deri në akomodim e ato ditë qëndrim.
Ky është vetëm një episod ndër mijëra që pushuesit hasin çdo ditë në hotelet shqiptare. Rastet e mira në industrinë e “mikpritjes” janë të shumta, ashtu sikurse janë të pafundme edhe ato që lënë shijen e hidhur me pushues që kthehen nga pushimet me betimin “se këtu nuk do të pushoj më”. Turizmi vendas, edhe pse po rritet vit pas viti, vazhdon të vuajë nga mungesa të theksuara të cilësisë së shërbimit dhe duket se pandemia e COVID-19 e ka përkeqësuar situatën duke bërë hapa pas. Në një pjesë të hoteleve, stafet dikur të trajnuar tashmë janë larguar dhe hapja e sezonit është sajuar me aq sa ka qenë e mundur. Ecuria e dobët e vitit 2020 kur turizmi u bë nën kufizime dhe e mbajtën gjallë vetëm vendasit dhe turistët e Kosovës bëri që në vitin aktual të mos kishte angazhim për investime.
Tur-operatotët raportojnë se në një pjesë të mirë, hotelet e vogla janë lënë pa investime për shkak të mundësisë së ulët financiare, pasigurisë se çfarë do të ndodhte edhe këtë vit me turizmin, ndërkohë që ajo që është zgjuar këtë vit ka qenë qiradhënia. Jo të pakta kanë qenë rastet kur struktura, që deri dje janë menaxhuar nga pronarët e objekteve apo nga operatorë që kishin disa vite përvojë në sektor, sot janë kaluar me qira te të tjerë që janë të rinj në aktivitet. Por cilat janë disa nga tendencat që po përkufizojnë këtë sezon veror nga Jugu në Veri sa u takon çmimeve, plazheve dhe shërbimit?
Hotelet “zhdukin” ofertat, plazhet më të shtrenjta dhe më të lira nga Jugu në Veri
Një vit më parë, thuajse të gjithë hotelet, sidomos ata me kapacitet të lartë, por jo vetëm, u fokusuan tek ofertat si një mënyrë për të tërhequr turistët pranë tyre. Durrësi “luftoi” fort me paketat “all inclusive” (të gjitha të përfshira) të cilat tërhoqën jo pak turistët e Kosovës përgjatë gjithë sezonit në qëndrime fundjavash 2-3 ditë.
Po kështu, edhe për qëndrime javore kryesisht në korrik dhe gusht. Një pjesë e hoteleve, nga ana tjetër, zgjodhën “half board” (fjetje dhe dy vakte) që sërish u pa me interes nga ana e turistëve. Për hotelet në Vlorë nuk munguan ofertat e fundjavave me dy net dhe tre ditë me mëngjes të përfshirë, si dhe (shampanjë apo verë) duke synuar tërheqjen e klientelës. Të gjitha këto mblidheshin në paketa ekonomike prej 150 eurosh për dy persona.
Krejt e kundërta po vihet re në këtë sezon. Ofertat kanë qenë të limituara vetëm gjatë qershorit kur ende sezoni kishte një ecuri jo dhe aq dinamike, ndërkohë që çmimet janë kthyer pak shumë në nivelet e vitit 2019 (një vit normal ky për turizmin) ose në nivele afër me to. Tur-operatorët raportojnë se rritja e çmimeve në raport me vitin e pandemisë po shihet si një mundësi e strukturave për të rikuperuar disi humbjet e vitit të shkuar. Por cilët janë plazhet më të lira dhe më të shtrenjta në vend.
“Monitor” ka përpunuar mesataren e poshtme dhe të sipërme të çmimeve për një pjesë të mirë të bregdetit nga Jugu në Veri sipas bisedave me tur-operatorët, përfaqësues të strukturave akomoduese apo njoftime të vetë hoteleve në rrjetet e tyre sociale, për të dalë në disa përfundime.
Veriu, më ekonomiku
Kështu Veriu i Shqipërisë vazhdon të mbetet pjesa më ekonomike, nëse do të kalosh pushimet verore. Një dhomë hoteli me kushtet elementare, për dy persona, mund ta gjesh për 20 euro/natë në Velipojë dhe Shëngjin.
Sigurisht këto dy pika ofrojnë edhe hotele më të shtrenjtë se kaq, për ata që duan disa shërbime ekstra si pishina apo arredim më të detajuar, që luhaten në 70-80 euro/natë.
Shezloni kushton mesatarisht 300-500 lekë, ndërsa te Rana e Hedhun në Shëngjin arrin në 1,000 lekë.
Durrësi, me më shumë alternativa
Më pas, Durrësi është plazhi me më shumë alternativa dhe mundësi. Ky i fundit ofron si pjesën ekonomike ashtu edhe atë mesatare apo luksoze, me disa struktura akomoduese me kapacitet të lartë. Në Durrës mund të gjesh hotele me 25 euro/nata, ndërsa në strukturat akomoduese që janë ndërtuar së fundmi, çmimi arrin në 120 euro/nata. Edhe alternativat për shezlonin janë të shumta, nga 300 -1200 lekë.
Jugu më i shtrenjti, deri në 280 euro/nata
Në Jug të vendit, Vlora dhe Qeparoi ofrojnë alternativa akomodimi të mesatares së poshtme të çmimeve prej 35 eurosh (dhe maksimumi 150 euro), duke u bërë plazhet më të lira ndërkohë që Dhërmiu, Palasa, Jali apo dhe Saranda me disa struktura këtë vit janë plazhet me çmimet mesatare më të larta se pjesa tjetër e bregdetit.
Kjo sigurisht ka të bëjë edhe me tipologjinë që kanë hotelet specifike, ku një pjesë janë vila dhe nuk jepen me dhoma.
Në Himarë mund të gjesh hotele nga 40 në 100 euro nata dhe shezlonë deri në 1,500 lekë në ditë. Në Dhërmi, një hotel kushton mesatarisht nga 80 euro në 150 euro, ndërsa për shezlonin duhet të paguash midis 1000-2000 lekë. Më të shtrenjtat janë Jali dhe Palasa, që arrijnë në 280 euro/nata dhe shezloni 50 euro në ditë.
Rikthehen koncertet, por ankesa për orarin e muzikës
Ndryshe nga një vit më parë, kur grumbullimet nuk lejoheshin për shkak të pandemisë dhe pas orës 22:00 nuk lejohej muzika, vera 2021 i gjeti shqiptarët disi më të shkujdesur, por jo tërësisht pa kufizime. Orari për muzikën u zgjat deri në orën 23:00, ora policore nuk zbatohet në zonat turistike, ndërkohë që ka nisur organizmi i eventeve nga strukturat akomoduese. Thuajse të gjithë hotelet përgjatë bregdetit kanë përfshirë në mbrëmjet e tyre verore këngëtarë apo muzikë live, duke e rizgjuar biznesin që flinte prej më shumë se një viti.
Në rrjetet sociale mund të gjesh lehtësisht njoftimet për këngëtarët e ftuar nga secila strukturë, por gjithçka duhet të mbyllet në orën 23:00. Moslejimi i muzikës pas kësaj ore ka krijuar jo pak pakënaqësi tek hotelet dhe restorantet dhe përplasja më evidente këtë sezon ishte në Vlorë, ku bizneset në Lungomare ulën qepenat në formë proteste. Kjo u shoqërua edhe me përplasje me policinë. Nga ana tjetër, kjo e fundit ka vijuar me vendosjen e gjobave për rastet kur nuk respektohet orari.
Shtrenjtohen paketat turistike, Shqipëria atraktive për ata që s’duan masa anti-Covid
Që në fillim të sezonit veror, turistët shqiptarë dhe të huaj, kanë vizituar Shqipërinë, nga Veriu në Jug. Por, javët e fundit raportohet një rritje e lehtë e çmimeve. Sipas drejtuesit të një prej agjencive më të vjetra në vend, Union Travel, rritja e çmimeve ka ndodhur për disa arsye.
“Sezoni veror nisi me plotësim të kapaciteteve, si në bregdet apo edhe në mal e juglindje. Natyrisht, Shqipëria ka më primare plazhin dhe bregdeti është më i frekuentuar që në fillim të sezonit. Arsyeja kryesore që ka nxitur rritjen e çmimeve lidhet me faktin se, në Shqipëri, masat anti-Covid janë thuajse inekzistente dhe kjo e bën këtë vend atraktiv për të gjithë ata që duan pushime të lira nga rregullat. Përveç mbylljes së aktivitetit pas orës 24:00, këtu nuk ka asnjë masë tjetër të parashikuar. Kjo e bën Shqipërinë edhe më tërheqëse për turistët e huaj. Duke qenë më atraktive, kërkesa është më e lartë dhe kjo ka rritur çmimet këtë sezon” – thotë z. Sokol Dodbiba, drejtuesi i Union Travel.
Ai shton se, nuk kanë munguar turistë të huaj këtë vit, të cilët kanë qenë kryesisht nga Bjellorusia, Polonia e Armenia. Ndërsa shqiptarët e Kosovës kanë zgjedhur më tepër Malin e Zi, sipas tij.
Dodbiba shton se, muaji gusht pritet të ketë sërish çmime të larta, deri në fillim të shtatorit, duke qenë se konsiderohet historikisht si piku i sezonit, me më shumë kërkesa.
Më herët “Monitor” ka raportuar se, shumë bare në kryeqytet e bregdet kanë rritur çmimet e kafesë. Të njëjtën tendencë po shënojnë dhe çmimet në restorante. Rritja nuk është vetëm në jug, por në gjithë vendin. Tendenca konfirmohet nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që publikohet nga INSTAT, sipas të cilit ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit Kafe – Restorante (catering) ishte 1.3% në maj dhe qershor, rritja më e lartë që nga janari 2017, kur raportohen të dhënat. Deri në fund të 2020-s, çmimet në bare e restorante ishin më të qëndrueshme, ndërsa ishin në tendencë rënëse në gjysmën e dytë të 2020