Përdorni makinë me targa të huaja? Pas një viti do t’ju konfiskohet- ja çfarë thotë eksperti

Pas një periudhe tranzitore, pas pesë muajsh sot rinisi koaludimi i automjeteve. Sot do të kryhet kolaudimi i automjeteve shtetërore të institucioneve publike. Ndërkohë, datat për automjetet e kategorive tjera do të njoftohen në vijim.

Në Kodin Rrugor janë ndryshuar 44 nene, nga 230 nene që ka Kodi Rrugor, që do të thotë se do të ketë ndryshime të rregullores për shoferët. Sipas ekspertëve të sigurisë rrugore, Mamir Hodo dhe Islam Qibini, të cilët ishin të ftuar në emisionin Ditë e Re, ndryshimet janë bërë kryesisht për normat e shpejtësisë.

Islam Qibini thotë se ka ndryshuar norma e shpejtësisë dhe nëse shoferi tejkalon normën mbi 50 kilometra, atëherë ai do të përballet me gjobë dhe heqje patente për 1 deri në tre muaj.

“Drejtuesit e mjetit që qarkullojnë nga 20 deri 50 mbi normat e lejuara të shpejtësisë kanë sanksione të veçanta. Dhe ata që qarkullojnë mbi 50 e më lartë kanë masë administrative më të rëndë. Në qendra e banuara shpejtësia e lejuar është nga 20 deri në 40. Nëse t’i ecën me 80 km/h ka masë administrative me gjobë nga 50 deri në 150 mijë lekë të vjetra gjithashtu dhe tërheqje të patentës së drejtimit, 1 deri në tre muaj“.

Ai shton se janë bërë ndryshime në afatin kohor të lejimit të qarkullimit të automjeteve me targa të huaja. Nëse automjetin me targa jo shqiptare ju do ta përdorni për më shumë se një vit, atëherë ai rrezikon të konfiskohet.

“Janë bërë ndryshime për mjetet që qarkullojnë me targa të huaja, të cilat kanë një afat të caktuar. Nuk duhet të qarkullojnë më shumë se një vit në territorin shqiptar. Në rast se kalon ky afat, atëherë bëhet konfiskimi i automjetit. Kjo ka ardhur si rezultat i shtimit të shumë qytetarëve që përdorin mjete të ardhura nga emigrantët dhe i përdorin më shumë se një vit”, thotë Qibini.