Aktorja tregoi se gjykata i kishte dhënë asaj kujdestarinë e dy fëmijëve të saj, Rubinit dhe Alesias, ndërsa kujdestarinë e vajzës së madhe ia kishte dhënë të atit. Ajo tregoi për situatën që e konsideron si më të vështirën në jetë, ku vendosi që ta ‘rrëmbejë’ vajzën dhe ta marrë pranë vetes.
“Kur nisa karrierën time në Kosovë, duke qenë se pashë se kisha rënduar për disa vite familjen time, vendos që fëmijët t’i lë tek i ati. I lashë për një periudhë rreth 18 muaj, derisa ata kërkojnë që unë të kthehem se donin praninë time afër tyre. Kur kthehem, pranë meje vijnë vetëm Alesia dhe Rubini. Helga refuzonte të vinte.
Duke qenë se isha në një proces gjyqësor, çka kjo duhet të bëhet shembull për të gjitha nënat që div0rcohen dhe gjenden në pikën zero, ndonjëherë ndarja e fëmijëve është e padrejtë. Ka qenë një vit i gjatë, i dhimbshëm, sepse nuk gjeja dot forcë që të shkoja dhe të përballesha me fëmijën tim. E kam kërkuar dy herë te shkolla dhe më refuzoi dhe kishte ardhur momenti që Gjykata do vendoste që Alesia dhe Rubini do qëndronin me mua, ndërsa Helga do rrinte me të atin dhe familjen e tij. Arriti një moment kur nuk po duroja dot më. Për muaj e muaj kisha dëshiruar ta shihja në ëndërr dhe nuk më dilte dhe pikërisht atëherë kur unë po përjetoja suksesin tim më të madh në karrierë, Helga mungonte.
Duke ndierë një dhimbje të madhe, për mungesën e Helgës në jetën time, duke menduar që ndoshta ajo kishte të drejtë për këtë periudhë që unë e kisha lënë vetëm që të ngrihesha dhe fuqizohesha për hirin e tyre, kisha një muaj të vështirë se më dilte natë për natë në ëndërr dhe po mendoja që diçka ka. Kam bërë një veprim që ndoshta të gjitha nënat mund ta bëjnë. Kam shkuar dhe kam ‘rrëmbyer’ fëmijën tim… e kam pritur, jam zgjuar një mëngjes pa frymë.
Mendoja se ajo ishte në një sallë reanimacioni dhe ajo nuk po merrte dhe as po jepte dhe ishte kjo ëndrra që ndoshta më shkundi dhe më dha forcën e duhur për të shkuar e për ta pritur që të kthehej nga shkolla. Është vendimi më i mirë që kam bërë për ta marrë atë pranë vetes”, u shpreh ajo në “Abc News”.
Ndër të tjera, Arjola dha për nënat dhe drejtësinë një mesazh shumë të fortë: “Ndoshta si kjo histori ka plot, por dua që në historinë time ta gjejnë veten të gjitha ato nëna që janë gjetur dhe ndierë si unë. Dhe ndoshta për t’u bërë një thirrje gjithë atyre që gjykojnë ndoshta edhe cekët, sepse fëmija nuk duhet të largohet kurrë nga nëna, për asnjë arsye. Kjo ka qenë një periudhë shumë e vështirë për mua.
Tanimë e tejkaluar, por kur kthehem nuk mund të rri pa e prekur sepse ata janë gjëja më e shtrenjtë që kam. Ky ka qenë momenti më i vështirë në jetë kur rrëmbeva fëmijën tim. Sot gëzoj kujdestarinë e të treve dhe jam shumë krenare për Helgën, Rubinin dhe Alesian që janë fëmijë të shkëlqyer dhe i kam krahë që të tre”, tha e përlotur Arjola Demiri.