Zv.ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini ka paralajmëruar se do të ketë ashpërsim të masave kundër COVID-19 nëse shifrat e infektimeve vazhdojnë të rriten. Ajo tha në Vizion Plus se edhe në javët në vijim pritet që shifrat e infektimeve të jenë të larta, duke shtuar se shtimi i rasteve vjen si pasojë e lëvizjeve të qytetarëve në dhjetor për festat e fundvitit.
“Sigurisht që tendenca e ditëve të fundit ka treguar për një rritje të rasteve pozitive, e reflektuar edhe tek projeksionet tona, duke parë grumbullimet e qytetarëve në dhjetor, për të festuar apo lëvizjet jashtë Tiranës. Kemi parashikuar një tendencë në rritje në javët në vijim. Tri ditët e fundit kanë reflektuar mbi 1 mijë raste, kemi një pozivititet shumë të lartë dhe nivel transmetueshmërie shumë të lartë. Të gjithë bashkë jemi pjesë e të tërës, të gjitha masat duhet të japin efektet e tyre. Situata po monitorohet në dinamikë. Vlerësimi i masave shtrënguese po kryhet, nëse kjo situatë do të përshkallëzohet. Nëse situata do të vazhdojë kështu dhe vlerësimi i të gjithë indikatorëve do të përshkallëzohet me një numër më të lartë pozitiviteti, masat do të jenë shtrënguese”, u shpreh Tomini.