Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin tonë kanë sjellë përmbytje në qytete të ndryshme dhe kjo ka shqetësuar jo pak qytetarë nëpër zona, të cilat janë përmbytur ose kanë rrezikuar të përmbyten në ditët e ardhshme nëse reshjet e shiut vijojnë me të njëjtin intensitet. Meteorologia Adjola Bani nga Metoalb, pasi ka shpjeguar situatën e reshjeve dhe motit të keq këtë fundjavë, ka dhënë detaje edhe për situatën sinoptike në javën e ardhshme.
Sipas Banit, këtë javë do të përballemi me javën më të ftohtë të këtij dimri, meqenëse temperaturat në vendin tonë parashikohen të prekin vlera ekstremisht të ulëta.
“Përmirësimi pritet pas ditës së mërkurë, duke sjellë më shumë kthjellime, më pak reshje të izoluara, por temepratura shumë të ulëta. Kjo do na sjellë dhe përmirësimin e situatës në zonat ku kemi pasur problematika për shkak edhe të përmbytjeve nga reshjet e shumta të shiut dhe daljes së lumenjve nga shtrati”.