Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk do të ngurojë të marrë masa të tjera kufizimi nëse situata me koronavirusin rëndohet. Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico, në një intervistë për Report Tv, deklaroi se Komiteti Teknik i Ekspertëve do të marrë masa të tjera shtesë, në rast se vihet re një rritje në numrin e të infektuarve me koronavirus. Ndër të tjera, ajo tha se është vënë re një interesim i qytetarëve për vaksinën e gripit sezonal.
Shifrat e demonstrojnë situatën e vështirë ku jemi. Këto janë masa të mirëmenduara. Të gjithë faktorët janë diskutuar duke u bazuar në faktorë të ndryshëm. Në të gjithë këtë situatë që po kalojmë. Me shpejtësi janë vendosur në funksion kapacitetet testuese dhe ato spitalore. Spitali COVID 4 është gati së bashku me personelin mjekësor.
Një apel për qytetarët është që të mos ngurojnë të kërkojnë ndihmën e shërbimit mjekësor. Ka një moment për të qëndruar në shtëpi që e mbështet mjeku i familjes, ndërsa ka dhe një moment që duhen shtruar në spital. Nuk do të ngurojmë që të marrim masa të tjera për të kufizuar transmetimin e këtij virusi. Pandemia nuk varet vetëm nga numri i të infektuarve.
Sot ka filluar vaksinimi ndaj gripit i edukatorëve dhe mësuesve dhe, siç tha Fico, deri tani ka pasur një interesim shumë të madh. Ajo shton se kjo ka ardhur për shkak se qytetarët duan të mbrohen nga gripet stinore, në mënyrë që të kufizojnë dhe infektimin nga koronavirusi.
“Qytetarët të bëjnë pjesën e tyre në respektimin e masave. Nëse kanë problematika, të drejtohen tek mjeku i familjes. Nëse nuk e kanë, le të thërrasin 127. Shumë e rëndësishme është mbajtja e maskave. Mos frekuentoni në mënyrë të panevojshme lokalet dhe baret. Vaksinimi ndaj gripit ka filluar me punonjësit shëndetësor. Ne kemi raportuar. Vaksinat që kanë ardhur, i kemi ezauruar. E filluam nga punonjësit shëndetësorë, pasi ata janë në luftën kundër COVID. Ditën e sotme ka filluar vaksinimi i mësuesve. Vaksinimin ndaj gripit ne e kemi më të lehtë, për shkak të një eksperience disavjeçare. Këtë vit kemi pasur një interesim të madh të vaksinimit ndaj gripit, për shkak dhe të tejçimit të mesazhit tonë dhe përmes medias”, – tha Fico.
645 raste të reja u konfirmuan me koronavirus në vendin tonë në 24 orët e fundit. Numri i humbjeve mbetet i lartë, me 18 të infektuar sot, të cilët nuk e fituan dot betejën me virusin.