Mjeku imunolog, Genc Sulçebe i ftuar mbrëmjen e djeshme në “Opinion” ka treguar se cilët persona nuk kanë nevojë që ta bëjnë vaksinën. “Personat që e kanë kaluar Covid-19 nuk kanë nevojë që ta bëjnë vaksinën. Nëse kanë antitrupa, nuk kanë nevojë që të bëjnë vaksinën. Vaksinimin e bëjmë për të krijuar imunitetin dhe kjo do të krijohet kur të krijohen antitrupat.
Thuhet se të paktën janë 6 muaj antitrupat. Antitrupat janë vetëm maja e ajsbergut dhe pas qëndron një ‘ushtri’ që ndihmon trupin.”– tha mjeku Sulçebe. Nga ana tjetër, ai foli edhe për vaksinat anti-COVID që janë prodhuar deri më tani në të gjithë botën. Sulçebe komentoi vaksinën ruse “Sputnik V”, e cila ka treguar 92% efikasitet për mbrojtjen nga COVID-19.
Imunologu theksoi se efekti i kësaj vaksine është thuajse i njëjtë me të tjerat, pasi është prodhuar nga laboratori “Gamaleya”, i cili më herët ka krijuar një nga vaksinat kundër ebolës. Sipas Sulçebe, i vetmi problem tek vaksina ruse është prodhimi saj në masë, pasi Rusia nuk ka teknologjinë e nevojshme.
“Vaksina e ruse është e ngjashme pothuaj se e njëjtë me atë të Oxfordit dhe kineze, kanë të njëjtën teknologji dhe kanë të njëjtin efekt. Nuk duhet të nënvlerësojmë “Gamaleya” sepse është një institucion me shumë traditë, janë marrë me studimet e vaksinave dhe këtë vaksinë e kanë prodhuar në bazë të platformës së vaksinës ndaj ebolës. Një nga vaksinat për ebolën. Rusët nuk është se nuk kanë mundësi financiare, por është një teknologji mjaft e sofistikuar dhe mesa duket nuk kanë aftësi të prodhojnë në doza të mëdha”.-tha Sulçebe.