E ftuar në “ABC-ja e pasdites”, Anxhela Peristeri foli mes të tjerash për eksperiencën e saj me koronavirusin, që e ka kaluar në Greqi. Ajo i rrëfeu Ermal Peçit se e kishte bërë tamponin para se të nisej, por kishte rezultuar negativ, sipas saj mbase sepse virulenca mund të ketë qenë shumë e ulët, për këtë arsye nuk ka dalë në tampon. Këngëtarja tregoi se u karantinua në një hotel në Greqi, ku izolimi ishte strikt.
“U nisa për në Greqi dhe në aeroport të bëjnë një test ku brenda 24 orëve merr përgjigje. Pavarësisht se unë kisha bërë test edhe para se të nisesha dhe rezultova negative. Mbase sepse, siç më shpjeguan, virulenca ndonjëherë është e vogël dhe nuk del në tampon. Duke qenë se isha në Selanik në protokollin e qeverisë greke duhet të karantinohesha 14 ditë në një dhomë në një hotel Covid. Izolimi ishte strikt, nuk lejohej që të dilje as në korridor, jashtë fare, por kushtet ishin shumë të mira”, -u shpreh Anxhela.
Ajo shtoi se ishin ditë të vështira sidomos kur arrin në ditët e fundit të izolimit, pasi duket sikur koha nuk ecën. Megjithatë u shpreh se ishte mirënjohëse që nuk ndihej sëmurë dhe që kishte miqtë e saj që i vinin çdo ditë poshtë ballkonit, që e mbushnin me energji pozitive.