Gazetari i njohur Eno Popi zbuloi sot në në emisionin “Shqipëria Live”, se si do të funksionojë programi i tij më i ri “Kandidati”. Popi u shpreh se programi do të sjellë për publikun një profil gjithëpërfshirës të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 2021-shit. “Do të jenë profilet e njerëzve që janë të përfshirë në politikë. Duam që të gjithë këta njerëz të njihen nga publiku dhe t’i bëjmë një profil. Ka plot nga ata që duan të vetëofrohen dhe të imponohen për t’u parë nga një parti politike”, tha Eno.
Gazetari i njohur shtoi se nuk do të qëndrojnë vetëm në Tiranë, por do të shkojnë në qarqe e rrethe të ndryshme. Ai shtoi se do ta shohin nga afër kandidatin, sa realisht është i lidhur ai me votuesin. Ndërsa i pyetur se si e zgjedhin kandidatin që të bëhet pjesë e programit, duke qenë se aplikimet janë të shumta, Eno tha se shikojnë fillimisht backgraund-in e tyre dhe po shqyrtojnë rreth 50 kandidatë.
“Deri tani asnjë nga partitë politike nuk po shkon me një listë të hapur. Në momentin që do hapen listat, do të shohim se kush do të jetë i ftuar në program”, vijoi Eno.
I pyetur se pse ka zgjedhur një program politik, gazetari u shpreh se në fakt ka zgjedhur një “program të angazhuar”.
“Unë nuk kam zgjedhur program politik, por të angazhuar. Programi i mëngjesit që kam bërë ka qenë shumë angazhim, me shumë gjëra dhe fusha të ndryshme që kërkojnë të pyesësh, të marrësh përgjigje dhe informacione. Rrjedhimisht kam zgjedhur që të bëj atë që kam bërë gjithmonë, komunikimin dhe gazetarinë”, tha Popi.
Moderatorët e njohur e pyetën se sa do zgjasë “Kandidati” dhe Eno u përgjigj: “Është një program që është menduar për zgjedhjet. Ndërsa për kandidat për gjëra të tjera, ka emisione të tjera”.
I pyetur nëse do të ketë “hard talk” në programin e tij, Popi tha se ka mjaftueshëm në programet e tjera. Gazetari tha se fillimisht është krijuar profili për kandidatët. “Ne me pyetjet zbulojmë individin, kandidatin. Ndërsa në fazën e dytë do të vijmë te një zhvillim i kandidatit me interesin politik, dhe aty pastaj do të ketë debate, ku pyetjet e forta do t’i bëjë populli dhe jo unë”, shtoi Popi.
Në fund, gazetari i njohur u shpreh se për momentin nuk kanë një datë se kur do të nis transmetimin “Kandidati”, por që kanë shumë dëshirë që të fillojë javën e parë të dhjetorit.