Dy anëtarë të një familje shpëtuan mrekullisht mëngjesin e sotëm, pasi makina me të cilën po lëviznin u fundos në një përrua, në aksin Librazhd-Përrenjas. Ngjarja ka ndodhur në Pishkash në zonën e njohur si “Tre urat”. Në automjet po udhëtonte Hysen Skordhja dhe nusja e djalit të tij, Marjana Iljasllari, të cilët ishin nisur drejt Greqisë. Ka qenë kryefamiljari që ka thyer xhamin e makinës dhe ka nxjerrë edhe nusen e djalit.
Ata kanë rrëfyer tmerrin që kanë përjetuar. “Po vija nga Tirana, te kjo kthesa më rrëshkiti makina dhe rashë në ujë. Shpëtova se dola isha vetë i dyti. Me zor nxora personin që kisha me vete”, shprehet për gazetarin Agim Blloshmi, Hysen Skordhja.
Ndërsa nusja e djalit të tij thotë se policia u vonua dhe se është tmerruar nga ajo që ka ndodhur.
“Nuk kam fjalë për me fol. Jam e tmerruar. Policia e Shtetit erdhi pas një sahati, na lanë aty në rrugë. Tmerrin që kam parë sot se kam parë ndonjëherë në jetën time. Kemi shpëtuar të dy për fije të flokut”, thotë ajo.
Dy familjarët u dërguan fillimisht në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa pritet që të bëhet nxjerrja e automjetit të tyre nga pellgu me ujë. /abcnews.al