Të gjitha hapat për t’i përgatitur në shtëpi briosh të shijshëm.

Nëse provoni të bëni një herë briosh, në shtëpi, në fundjavat e dimrit, do ta përsërisni gjithmonë! Jo vetëm prej shijes, por edhe prej aromës që merr e gjithë shtëpia! Fëmijët do t’i pëlqejnë shumë! Përbërësit e mëposhtëm janë për të përgatitur rreth 16 copë brioshë tepër të shijshëm në kushte shtëpie.

280g miell, 25g maja birrë e freskët në kubikë, 1 vezë + qumësht të jenë të dyja 150ml (në një enë të milimetruar që mat lëngjet, hedhim në fillim vezën dhe më pas shtojmë qumësht derisa të kemi 150 ml), 1/2 lugë kafeje kripë, 60g gjalpë shumë i butë, 50g sheqer , nutella ose reçel etj. Na duhet gjithashtu për t’i lyer sipër: 1 verdhë veze e përzier me 2 lugë qumësht

Përgatitja:

1.Përziejmë të gjithë përbërësit e mësipërm përveç gjalpit në robot ose në një tas të madh me lugë në fillim dhe më pas me dorë. Shtojmë më pas gjalpin pjesëpjesë dhe vazhdojmë t’i përziejmë akoma derisa gjalpi të jetë përzier me brumin.

2.E vëmë në një tas të spërkatur me miell, e mbulojmë me plastmasë kuzhine dhe e lëmë derisa të dyfishojë vëllimin e tij (afërsisht 1 orë).

3.Pas kësaj e ndajmë brumin në dy topa dhe hapim secilin me petës dhe pak miell. I japim formë të rrumbullakët, e ndajmë më pasnë 8 trekëndësha me thikë, vëmë te secili trekëndësh pak Nutella dhe i mbështjellim si role. Vëmë roletë e brumit në tavë me letër furre, i mbulojmë me pecetë dhe i lëmë të fryhen edhe për një orë tjetër.

4.Pas kësaj kohe i lyejmë sipër me penel me të verdhën e vezës të rrahur me qumësht dhe i pjekim në furrën e ngrohur më parë me 180 gradë C për 20 minuta ose derisa të shohim që të kenë marrë ngjyrë.