Si një përpjekje për të ndërgjegjësuar sadopak brezin e saj në lidhje me Covid-19, një 15-vjeçare kontaktoi me redaksinë e Anabel Media për të rrëfyer eksperiencën jo të thjeshtë me virusin Covid-19. Ndër të tjera ajo u shpreh se “mendonte se kishte thjesht grip”, për shkak të shenjave jo fort serioze.
“Rreth datës 18 [gusht] kam ndjerë shqetësimet e para. Telefonova 127 dhe më thanë që s’kisha gjë se nuk ishin simptoma serioze. Ditën e parë kisha temperaturë, dhimbje të tmerrshme koke dhe fyti. Ditën e dytë më pushoi dhimbja e kokës dhe kisha temperaturë 37.5 – 38 gradë Celcius. Temperatura ulej dhe ngrihej; zgjati 4 ditë. Isha keqinformuar dhe mendoja se po të kishe temperaturë mbi 40 gradë Celcius kishe koronavirus. Kështu që në mendjen time ishte thjesht grip.”
Sipas saj, mund të jetë infektuar në autobus. Përsa i përket simptomave të tjera, ajo shtoi:
“Më pas, fillova të dridhesha dhe vetëm djersija. Më mbetej fryma në gjysmë. Shkova të bëja testin për koronavirusin në privat dhe rezultova pozitive. Kur mora vesh që kisha koronavirus, u bëra më keq akoma. Të tremb ideja që e ke. Më pas nuk kisha më temperaturë, por kisha kollë dhe djersitje të tmerrshme. Dridhesha. Në fillim më iku shija. Ndieja vetëm pak shijen e alkoolit, por kjo filloi më mbrapa, ndërsa nuhatja më iku për dy ditë.“
Ajo u ndal ndër të tjera edhe te ndikimi që ka virusi te shëndeti mendor.
“Covid-19 ndikon shumë keq edhe në anën psikologjike. Të largohen komshinjtë dhe të afërmit. Ndihesha vetëm. Një pjesë tallen dhe thonë ‘hë se grip është’. Të tremb ideja që e ke dhe fakti që kanë vdekur shumë njerëz dhe ti po kalon një sëmundje që ka vrarë njerëz. Ndodh që të të nisin edhe meme me koronën. Nuk kanë faj, sepse nuk e kanë kaluar vetë dhe u duket e lehtë. Duke qenë 15 vjeç, mendoja se do ta kaloja më lehtë, por mesa duket nuk ka lidhje mosha.”/anabel/
Shënim: Anabel.al ka verifikuar rezultatin e testimit të kryer në një klinikë private.